Ballina Bota Atentati ndaj Trump frikëson Europën

Atentati ndaj Trump frikëson Europën

Politikanët në të gjithë spektrin politik të politikës europiane ndoqën me vëmendje ngjarjet në anën tjetër të Atlantikut. Nëse mund të ndodhë në Amerikë, mund të ndodhë në Europë. Nëse mund t’i ndodhë Trumpit, mund t’i ndodhë kujtdo, thuhet në analizën e Politico.

“Ishte një simbol i dhunës që minon demokracitë tona. Franca nuk është e sigurt përballë kësaj dhune”, tha Marine Le Pen në Francë.

“Ka kufij që nuk duhen kapërcyer kurrë,” paralajmëroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Për shumë politikanë europianë, sulmi ndaj Trump nuk ishte vetëm një paralajmërim i asaj që mund të ndodhte, por një kujtesë e asaj që tashmë ka ndodhur në Europë, ku dhuna politike nuk është më e pazakontë.

Në maj, kryeministri i Sllovakisë u plagos rëndë nga të shtënat me armë zjarri në atë që dukej të ishte një sulm i motivuar politikisht. Muajin e kaluar, kryeministrja daneze Mette Frederiksen u sulmua nga një sulmues i panjohur teksa po ecte në qendër të Kopenhagës.

Gjermania gjithashtu kohët e fundit është prekur nga një seri incidentesh të dhunshme kundër politikanëve. Mes tyre, sulmi i katër personave ndaj kandidatit të Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) për Parlamentin Europian, Matthias Eke.

Në Mbretërinë e Bashkuar, dy deputetë në detyrë janë vrarë në tetë vitet e fundit : deputetja laburiste Jo Cox , në vitin 2016, nga një neonazist gjatë fushatës së referendumit të BE-së dhe deputeti konservator David Ames, në 2021, nga një ndjekës i ISIS.

Megjithatë, kërcënimet dhe dhuna nuk vijnë vetëm nga e djathta ekstreme apo nga ekstremizmi fetar.

Zgjedhjet e fundit shkaktuan frikë te votuesit dhe kandidatët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, me shumë deputetë, dhe kandidatë laburistë, si dhe votues që ankoheshin për sjelljen e disa mbështetësve të kandidatëve të pavarur.

Nga ana tjetër, një nga objektivat kryesore është Nigel Farage, një mik i ngushtë i Trump,  i cili është sulmuar vazhdimisht me objekte.

Masat kundër dhunës 

Samiti i Komunitetit Politik Europian (EPC) u ofron 47 liderëve europianë që marrin pjesë një mundësi për të mbajtur një qëndrim kundër dhunës politike në vazhdën e tentativës për vrasjen e Trump.

Disa shtete europiane kanë miratuar tashmë ligje të reja për të mbrojtur politikanët nga kërcënimet në rritje.

Në Sllovaki, pas atentatit ndaj kryeministrit Fico, një ligj i ri u miratua muajin e kaluar që ndalon tubimet pranë shtëpive të politikanëve ose selisë së qeverisë.

Qeveria britanike njoftoi muaj më parë një fond shtesë prej 31 milionë paund për sigurinë e deputetëve.

Megjithatë, për shumë politikanë kërcënimi mbetet akut dhe i gjithëpranishëm.

Siç shprehet Geert Wilders, lideri i Partisë së Lirisë Holandeze (PVV) të së djathtës ekstreme, i cili vetë ka qenë nën sigurinë 24-orëshe prej vitesh për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij, “ajo që ndodhi në SHBA mund të ndodhë në Holandë. Mos e nënvlerësoni.”