Al Jaazera Balkans, pjese e rrjetit mediatik Al Jaazera, i ka dedikuar një reportazh Kryegjyshatës Botërore Bektashie dhe mundësisë së krijimit të një shteti Sovran bektashi.
Në një dokumentim të detajuar të selisë me qendër në Tiranë, dhe intervistave me ekspert në vendin tonë, ky reportazh del në përfundimin se krijimi i shtetit Sovran Bektashi është lehtësisht i realizueshëm ligjërisht, duke marrë edhe shembullin e urdhrit të Maltës.
“Sipas akteve juridike dhe detyrimeve kushtetuese si dhe nenit 10 të kushtetutës, bashkësitë fetare në Shqipëri kanë marrëveshje me këshillin e ministrave, me qeverinë dhe parlamentin. Nëse palët duan të merren me marrëveshjen e vitit 2009, është shumë e mundur të kalohet në sovranitet, si me urdhrin e Maltës për shembull.”, tha Ilir Kulla.
Si një pasqyrim me qëllim informimin e rajonit, media me bazë në Sarajevë deklaron se Shteti i Pavarur i Bektashinjve do t’i kontribuojë vazhdimësisë së tyre shekullore të islamit tolerant, si një ide e kryeministrit Edi Rama për të promovuar këtë tolerancë, me të cilën Shqipëria krenohet.
Gjithashtu u ndalën edhe në shqetësimet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që rendisin si problematikë përdorimin e terminologjisë “shtet sovran”.
“Deklarata të tilla janë të rrezikshme pasi paraqesin precedent të rrezikshëm. Ky është një hap i panevojshëm sepse bashkësitë fetare kanë ekzistuar dhe vepruar në harmoni edhe në bazë të rregullave ekzistuese. Përdorimi i terminologjisë si “shteti Sovran” janë të rrezikshme. Bashkësia islame nuk dëshiron që askush të luaj me këtë terminologji”, theksoi Lauren Luli.
Reportazhi e Al Jaazera Balkans në Tiranë përmbyllet duke e quajtur shtetin e mundshëm bektashi si më të voglin në botë pa ushtri, pa ligje dhe pa rregulla të veçanta për mysafirët, që do të udhëhiqet nga “Baba Mondi” me funksione fetare dhe administrative.