Albpetrol njoftoi se arriti të siguronte një ofertë të suksesshme për shitjen e 159 mijë tonëve naftë bruto në ankandin e parë të këtij viti me vlerë rreth 72 milionë euro.
Dokumentet e bëra publike nuk e specifikojnë vlerën totale të kontratës, por bëjnë të qartë se bashkimi i operatorëve fitues duhet të paraqesin sigurimin e kontratës në nivelin 10 për qind të saj, çka përkon me një vlerë 720 milionë lekë, apo rreth 7.2 milionë euro.
Në këtë ankand kanë dhënë ofertë bashkimi i operatorëve “Europetrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” sha.
“’Europetrol Durrës Albania’ sha, me adresë: Nj. Admin Nr. 2, Bulevardi “Zhan D’Ark”, Pallati 5, Shkalla 1, Apartamenti 1, Tiranë, dhe “R.B.H. Belinë” sha, me adresë: Lagjja “Balldren”, Zona Kadastrale 1045, Nr. Pasurie (A), Elbasan. se oferta e paraqitur, me një çmim/njësi prej: Në pikat e lëvrimit të Albpetrol sh.a: 77.26 % e Çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K. K= 0.0105 USD/bbl (pa TVSH), është identifikuar si oferta e suksesshme.
Rrjedhimisht, jeni të lutur të paraqisni pranë shoqërisë “Albpetrol” sha, me adresë: Rr. Fier – Patos km 7, sigurimin e kontratës në vlerën 720,303,232.73 (shtatëqind e njëzet milion e treqind e tre mijë e dyqind e tridhjetë e dy pikë shtatëdhjetë e tre) lekë, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentet e ankandit, dhe të nënshkruani kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi.
Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës suaj dhe ankandi do të anulohet, siç parashikohet në pikën 16/b, të Urdhrit nr. 83, datë 10.02.2012, “Për rregullat dhe procedurat e shitjes së produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar” thuhet në njoftimin e Albpetrol.
Ankandi i fundit i Albpetrol për shitjen e naftës bruto i takon korrikut të vitit të shkuar kur u shitën 105 mijë tonë naftë për një vlerë mbi 43 milionë euro. dhe ku fitues ishin të njëjtët subjekte sikurse në ankandin e këtij viti.