Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës nw bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), finalizoi me sukses operacionin “TURNI”, ku pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë i mundur arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë së Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, Inspektor A. M., 21 vjeç, i dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 31 vjeç dhe D. M. 34 vjeç, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve të lartpërmendur është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.01.2025, rreth orës 15:00, ata kanë bërë nxjerrjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga Anija “AYAZANOYBYA” me flamur të Tanzanisë, që ishte ankoruar dhe sekuestruar në Porto Romano, e cila ka qenë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria Durrës.
Nga hetimet e kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës dhe AMP, ka rezultuar se punonjësi i policisë A. M., ka lejuar kundrejt pagesës prej 10,000 euro, të dhënë nga shtetasi J. K., nxjerrjen e sasisë së naftës të ndodhur në anije, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit.
Gjithashtu, në bashkëpunim janë kryer të gjitha veprimet procedurale, duke përfshirë ri-këqyrjen e anijes, këqyrjen e pamjeve filmike në Porto Romano Durrës, marrje deklarimesh dhe marrjen e mostrave për ekspertim në të gjithë zonat e balastarve dhe ka rezultuar se sasia e naftës që ndodhej në këto hapësira në momentin e sekuestrimit (datë 12.01.2025) ishte zëvendësuar me ujë.
Në vijim të veprimeve, janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, si më poshtë;
L. K., 29 vjeç;
F. I., 23 vjeç (shtetas sirian);
A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian);
S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian);
H. B., 47 vjeç (shtetas sirian);
S. B., 53 vjeç (shtetas egjyptian);
W. B., 42 vjeç (shtetas sirian);
Materialet procedurale do referohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për hetime të mëtejshme.