Ballina Shqiperia ime AMP arreston 2 punonjës policie,njeri i vjedh gruas 8000 euro, tjetri shkakton...

AMP arreston 2 punonjës policie,njeri i vjedh gruas 8000 euro, tjetri shkakton aksident!

AMP ka arrestuar dy punonjës policie, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Një nga policët akuzohet për disa vepra penale si “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërsa, efektivi tjetër akuzohet për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

“AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie

➡️ Agjencia e Mbikëqyrjes policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor L.T., me detyrë Paturllë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mirditë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit në “Rugën e Kombit” është përplasur me një automjet tjetër duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkolit rezultoi pozitiv.

➡️ Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Gjirokastrës, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ish- bashkëshortja ka denoncuar punonjësin e policisë për shkelje të urdhërit të mbrojtjes, duke i vajtur në banesë dhe gjithashtu i ka marrë një valixhe ku ndodheshin një sasi prej 5 milionë lekësh.

Pas marrjes së kallëzimit, u kryen veprimet hetimore dhe nga kontrolli në banesën e shtetasit SH. A. (kunati i punonjësit të policisë J. R.) u gjend valixhja dhe një portofol me shumën prej 8 000 Euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vazhdim të veprimeve nga kontrolli i banesës së tij në qytetin e Gjirokastrës, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 287 fishekësh pistolete të tipit TT, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 1 palë pranga.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511”, njofton policia.