Numri i aksidenteve rrugore është rritur ndjeshëm në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Në periudhën janar-maj 2024 ndodhën gjithsej 626 aksidente, me rritje prej gati 47% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i të vdekurve dhe të plagosurve femra në këto aksidente u rrit me 22% dhe i meshkujve, me 59%.
Megjithatë INSTAT raporton se në raport me popullsinë, numri i viktimave që kanë humbur jetën është ulur.
“Gjatë 5-mujorit të parë 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,1 për 100 aksidente, nga 16,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Në muajin maj 2024 numërohen 126 aksidente rrugore, nga të cilët 167 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Në krahasim me majin e një viti më parë, numri i aksidenteve është rritur me gati 33%. Numri i të vdekurve dhe plagosurave femra u rrit me 26% dhe i meshkujve me 21%.
Aksidentet rrugore, në 86,5% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grupmosha 25-34 vjeç, duke zënë 29,4% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Në muajin Maj 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditëve të Enjte dhe të Shtunë me 19,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur gjatë ditës së Diel, me 7,9%.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 20,6% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.