Mëngjesi i sotëm në Gjykatën e Posaccme duket intensiv.
Pas paraqitjes së Vilma Nushit dhe Albana Voshkit, një tjetër seancë gjyqësore për shpifje do të zhvillohet sot në GJKKO mes Adriatik Lapajt dhe Agron Shehajt.
Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet” dorëzoi të hënën e 1 prillit në SPAK një padi për shpifje ndaj kreut të partisë “Mundësia” Agron Shehaj.
Në një deklaratë për mediat, Lapaj tha se ky veprim vjen pas deklaratave publike të bëra nga Shehaj, të cilat sipas tij, janë të pavërteta dhe denigruese ndaj figurës së tij profesionale dhe publike.
“Nuk kam dashur që të krijoj një kurs konflikti mes të resë. Por kush kërkon luftë, luftë do të gjej. Sot po dorëzoj si i dëmtuar padinë pranë GJKKO dhe zoti Shehaj duhet të vijë këtu me dokumente që të provojë pretendimet.
Unë Adriatik Lapaj nuk kam në republikën e Shqipërisë, as unë, as nëna dhe as babai, as familjarë të mi, asnjë metër tokë në republikën e Shqipërisë. Ka pretenduar se kam përfaqësuar kompani të krimit që janë sekuestruar nga SPAK dhe kam marrë lekë. Të dalë një gazetar nëse kam marrë një cent.
Si mund të merren para nga kompani që janë sekuestruar. Ka pretenduar se kam përfaqësuar në Apel çështje që në Gjykatën e Shkallës së Parë i ka gjykuar vjehrri im.
Ftoj gazetarët të gjejnë një vendim që Lapaj ka përfaqësuar një çështje që ka gjykuar vjehrri. Ka pretenduar se ka regjistruar në hipotekë pronë që ka dhene vjehrri im – tha Lapaj
AKUZAT SHEHAJ – LAPAJ
Agron Shehaj e akuzoi Adriatik Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.
Shehaj vazhdoi sërish me akuzat, duke i shoqëruar edhe me dokumente, ku thoshte se Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet. Sipas Shehajt, vendimi për pronën është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.
Pas padisë, Shehaj reagoi përmes një video në rrjetet sociale, ku tha se luftën Lapaj e ka me drejtësinë, që të shpëtojë nga burgu.
Shehaj nxorri në video, sipas tij, vendimin e gjykatës së vjehrrit të Lapajt, Alltun Çela për dhënien e pronës në Ksamil. Agron Shehaj thotë se tani luftën Adriatik Lapaj e ka në gjykatë, që t’i shpëtojë burgut dhe jo me atë.