Nga data 9 Gusht, markimi dhe monitorimi i karburanteve do të kalojë totalisht nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ministria e Financave ka mbyllur përfundimisht kontratën koncesionare, e cila ishte shtyrë për një vit, nga 10 vite që ishte përcaktuar kohëzgjatja fillestare.
Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë mbi disa ndryshime në ligjin për akcizat specifikon se doganat do të kenë tashmë përgjegjësinë për administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit për karburantet.
Vendimi përcakton se procesi i shënjimit/ngjyrimit realizohet përpara kryerjes së pagesës së akcizës dhe shoqërohet me një dokument, që vërteton kryerjen e shënjimit/ngjyrosjes. Mbikëqyrja dhe kontrolli është procesi që kryhet nga administrata doganore me anë të teknologjisë së posaçme në dispozicion të saj, nëse këto produkte janë shënjuar/ngjyrosur. Asnjë nga produktet e akcizës, për të cilat është i detyrueshëm shënjimi/ngjyrimi, nuk mund të hidhet për konsum/qarkullim të lirë i pashënjuar/i pangjyrosur..
Por çfarë do të sjellë mbyllja e kësaj kontrate për konsumatorët shqiptarë të karburanteve?
Kontrata u miratuar në vitin 2013 dhe operacionet e markimit të karburanteve në terren filluan në muajin Shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më datë 23 Qershor 2014.
Kostoja e kontratës koncesionare të markimit të karburanteve, llogaritet në rreth 1.6 lekë/litër dhe është një nga tarifat e përfshira në çmimin e karburantit, që paguhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Duke qenë se infrastruktura është ndërtuar dhe investimi është bërë, me kalimin nën administrimin e Doganave të kësaj procedure, mund të ketë edhe një rishikim në ulje të tarifës, e cila mund të sjellë edhe ndryshime në çmimin e karburanteve në treg. Ashtu sikurse pritet të ndodhë me pullat fiskale, ku me mbylljen e kontratës koncesionare, Ministri i Financave njoftoi se pritjet ulje e kostove për bizneset.
Kompania koncesionare GFI Albania shpk e ofronte shërbimin e markimit dhe monitorimit me një çmim prej 614 Lekë për 1000 Litra të markuara (pa TVSH). Ndërkohë që kjo tarifë përgjatë 10 viteve i ka garantuar fitime që tejkalojnë shifrën e 30 milionë eurove. Vlera e investimit në kontratën koncesionare parashikohej të ishte 4.4 milionë euro.
Shoqëria Koncesionare do të dorëzojë astetet tek Autoriteti Kontraktues, përkatësisht te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas dispozitave dhe afatit të kontratës koncesionare.