Palasa është e vendosur në një kreshtë shkëmbore të Akrokerauneve. Nga qendra e fshatit, ku ndodhet rrapi shekullor, rrugët e ngushta me kalldrëm të orientojnë për në shtëpitë e bardha me oborret plot pjergulla e vazo me manxuranë e karafil. Përmbi fshat kalojmë në vendin e quajtur Porti me pamje madhështore nga deti ku ndodhet Manastiri i Shën Mërisë.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës, emri Palaste është 2000- vjeçar. Në vitin 1431 fshati bëhet i njohur me emrin Palasa dhe Ballasa dhe përfshihej në nahijen e Himarës me 35 oxhaqe, kurse në vitin 1884 me 100 familje. Sipas një interpretimi, emri Palasë vjen nga greqishtja Palaste – pallami (pëllëmbë). Shpjegimi tjetër do të ishte prejardhja nga emri Ballassa – rrush. Mushti ishte prodhim kryesor i Ballasës në shek XV. Dallohet për kisha të vjetra dhe shpella të banuara qysh në lashtësi.
Në Palasë kalonin karvanet që lidhnin Himarën me Vlorën dhe Lumin e Vlorës
Çezari u nis nga Brindizi me 30.000 ushtare dhe zbarkoi në 5 janar të vitit 48 para erës së re në tokën e Kaonëve, atje ku organizohej lufta kundër Pompeut, pra në Palasë, ku duket delta e bardhë e përroit të rëmbyeshëm dimëror të Palasës dhe që nga larg , ushtarët e Çezarit mbi kuvertat e anijeve e thirrën atë “strada bianka” – rrugët e bardha.