Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat nga taksa e qarkullimit, e cila vilet për çdo litër për naftën dhe benzinën, kanë pasur një rritje të konsiderueshme me 9% në raport me një vit më parë.
E thënë ndryshe, janë paguar afro 18 milionë euro më shumë se në vitin 2023.Rritja e të ardhurave është diktuar nga shtimi i konsumit të karburantit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se përgjatë 12-muajve që lamë pas, qytetarët shqiptarë dhe turistët kanë konsumuar rreth 657.5 mijë ton karburant. Në raport me një vit më parë, rezulton rritje e importit të këtij produkti me rreth 43 mijë ton si dhe është në nivelin historik të 5 viteve të fundit.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve në vendin tonë, shifër e cila regjistrohet në 11.7 milionë në vitin 2024, ku një pjesë e mirë prej tyre vijnë me automjete personale dhe një pjesë marrin automjete me qira për të vizituar sa më shumë vende.
Taksa e qarkullimit mbi naftën edhe benzinën vilet në masën 27 lekë për litër.
Në vitin 2024, Ministria e Financave kishte programuar të vilte 233 milionë euro nga taksa e qarkullimit, por janë arkëtuar 213 milionë, me një mosrealizim në vlerë 20 milionë euro.
Taksa e qarkullimit grumbullon të ardhura nga përdoruesit e transportit dhe vilet gjatë blerjes së karburantit, për çdo litër të konsumuar dhe shpërndahet më pas për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Taksa e qarkullimit është vetëm 1 prej 7 taksave që vilen nga konsumi i lëndëve djegëse dhe që shkon në arkën e shtetit bashkë me TVSH-në akcizën, taksën e karbonit, etj.