Qeveria do të mbështesë prodhimin organik në vend, si një detyrim edhe në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por dhe për të rritur eksportet e produkteve me vlerë të shtuar në tregjet ndërkombëtare.
Bujqësia organike është pjesë e Strategjisë së BE-së “Nga ferma në tavolinë” dhe konsiderohet si një sistem i rëndësishëm e i qëndrueshëm bujqësor, me një objektiv që të paktën 25% e tokës bujqësore të BE-së të jetë nën bujqësi organike deri në vitin 2030.
Kështu, fermat organike për periudhën në kalim, në vitin e parë do të financohen në vlerën 100 mijë lekë. Në vitin e dytë dhe të tretë me 150 mijë lekë dhe po ashtu fermat e certifikuara do të financohen deri 200 mijë lekë për fermëSubjektet e interesuara do të kenë mundësi të aplikojnë pranë Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural deri më 30 Maj.
Përfitojnë të gjithë aplikuesit që janë në sistem/skemë certifikimi, në kalim (viti parë, viti i
dytë dhe ose viti i tretë) ose të certifikuar organik, me kusht që sipërfaqja e mbjellë që certifikohet të mos jetë më e vogël se 0.5 ha;
Toka të jetë në pronësi të aplikuesit, në përdorim ose me qira për të paktën 5 vjet, përfshirë edhe vitin e aplikimit.
Dokumentacioni që dorëzohet nga aplikanti, pas përfshirjes në listën e përfituesve është kontrata e lidhur nga aplikuesi me një trupë kontrolli të miratuar nga MBZHR-ja ose që ka njoftuar aktivitetin në MBZHR, për specien/speciet dhe sipërfaqen e kultivuar; Dokumentacioni i pronësisë së tokës apo marrjes me qira.
Pronësia mbi tokën bujqësore, vërtetohet me certifikatë pronësie, e shoqëruar me hartën treguese dhe kartelën e pasurisë së paluajtshme; Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi apo kontratë qiraje e noterizuar.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, vetëm 1 % e sipërfaqes bujqësore në Shqipëri është me prodhim organik, apo e thënë ndryshe 1000 hektarë tokë në total, ndërkohë që potencialet dhe kërkesa konsumatore vendase dhe ajo e huaj janë shumë më të larta.
Në Shqipëri janë gjithsej 150 operatorë të certifikuar me logon “Bio” ku 80 prej tyre prodhojnë për tregun vendas dhe 70 për eksport.