Ballina Shqiperia ime Bimët mjekësore, 300 euro për fermer – 30% e prodhimit vjetor dorëzohet...

Bimët mjekësore, 300 euro për fermer – 30% e prodhimit vjetor dorëzohet me faturë në pikat e grumbullimit

Qeveria do të mbështesë kultivimin e bimëve mjekësore në vend si një indutri e cila punëson mijëra banorë të zonave rurale si dhe ka kërkesë të lartë për eksport, ku mbi 90% vjen nga tregu amerikan.

Konkretisht aplikimet për të përfituar subvencion për mbjelljen e tyre do të jenë të hapura deri më 30 Maj.

Pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike jepet në vlerën deri në 30 mijë lekë/ha, për fermer/aplikant me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha.Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë marrëveshje dakordësie/bashkimi të anëtarëve të grupit të fermerëve, e cila ngarkohet në sistem në momentin e aplikimit. Në marrëveshje përcaktohet sipërfaqja totale dhe e mbjellë/që do të mbillet për çdo anëtar dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që bën aplikimin;

Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë kontratë për shitjen e bimëve mjekësore e aromatike, midis grupit të fermerëve dhe një subjekti të licencuar grumbullues/përpunues të bimëve mjekësore e aromatike.

Kontrata parashikon që sasia e bimëve mjekësore e aromatike të shitura të jetë jo më pak se 30% e prodhimit që realizon grupi ( bazuar në rendimentin mesatar në shkallë qarku me referencë të dhënat e INSAT-it).

Çdo anëtar i grupit të dorëzojë në AZHBR jo më pak se një faturë/autofaturë shitjeje të bimëve mjekësore e aromatike. Sasia e bimëve mjekësore e aromatike e pasqyruar në të gjitha faturat e dorëzuara, nga grupi i fermerëve të jetë jo më pak se 30% e prodhimit vjetor.

Aplikanti duhet të ketë planvendosjen e parcelës me të dhënat kryesore;  Toka të jetë në pronësi të aplikantit dhe/ose me qira jo më pak se një vit, përfshirë edhe vitin e aplikimit; Të ketë faturë për blerjen e materialit mbjellës të certifikuar (për mbjelljet e vitit 2024). Përfituesi nuk duhet të jetë debitor ndaj MBZHR-së dhe AZHBR-së.