Ballina Aktualitet RAMA: Më thonë se kam gjysmën e qeverisë në burg/Reformën në drejtësi...

RAMA: Më thonë se kam gjysmën e qeverisë në burg/Reformën në drejtësi e donim dhe e sollëm ne!

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me deklaratat e forta politike gjatë takimit me qytetarët në Skrapar, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Mes mesazheve për integrimin europian dhe angazhimeve për zhvillimin e zonës, Rama u ndal edhe te kritikat që i drejtohen qeverisë për arrestimet e zyrtarëve të lartë dhe akuzat për reformën në drejtësi.

“Thonë për ne: ‘Çfarë do ky, e ka gjysmën e qeverisë në burg’. Po këta mendojnë se me këtë propagandë populli do harrojë kush e donte dhe kush jo reformën në drejtësi, kush e bëri dhe kush është këtu për ta përmbysur,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se reforma në drejtësi është një arritje historike dhe solli për herë të parë përballë drejtësisë njerëz me pushtet, gjë që nuk kishte ndodhur më parë në Shqipëri.

“Shqipëria ka pasur Mbret, ka pasur diktator, ka pasur edhe një palo president, bufin e kënetës, që futi në burg Fatos Nanon – të burgosurin e fundit politik të Shqipërisë – por asnjëherë nuk është parë një njeri me pushtet të shkojë para një gjykatësi të pavarur,” deklaroi kryeministri.