Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur deklaratës së simpatizantit demokrat, Ilir Vrenozi gjatë takimit të Sali Berishës në Korçë.Vrenozi përdori një gjuhë ofenduese dhe të rëndë ndaj kryeministrit kur mori fjalën.
“Që ta çojmë tek 5 do të votojmë 1. Doktor Berisha, legjenda e demokratëve mirë se erdhe. Më 11 maj Shqipëria përsëri do të buzëqesh. Do të lind një shpresë e re, një pranverë e madhe. E besoj ma ndjen shpirti këtë ndryshim. E them si një njeri i thjeshtë, i varfër si qindra mijëra të tjerë. Komunizmi dhe rilindja është pjella më e keqe e vendit tim. Ndaj duhet ta rrëzojmë këtë klik dhe Shqipërisë t’i bëjmë nder. E ndjej demokracia do të fitojë përsëri. Ndryshimin do ta bëjmë ne dhe diaspora, do ta nxjerrim në dritë nën Shqipërinë.
Tani po ju flas ju flas si një Vrenoz që është rritur me trahana dhe fasule. U mundua të më blinte i gjati, ky karagjoz, por un jam i djathë o çyryk dhe jam krenar që kokën dot s’ma ulë. Ti me shitblejre je mësuar. Po dje mo si ju tha fëmijëve më shihni nudo, u trondita dhe si prind po ta them një fjalë o i gjatë, si nuk të erdhi turp, si nuk tu dhimbsën fëmijët”, tha Vrenozi.
Rama e ka ironizuar deklaratën e Vrenozit duke e quajtur 1-shin e vërtetë të Partisë Demokratike.
“Po pse kot e thashë unë që Vrenozi është 1-shi i vërtetë i PD-së! Shikojeni se si e shpërthen ai një sallë të tërë me sharjet e tij ekstreme e me thirrjet ndaj fantazisë erotike të audiencës fanatike, që ta kuptoni deri në fund se çfarë kënete është PD-ja! Bufi as në ëndërr se kap dot më atë nivel ekzaltimi të turmës së habitatit të tij të lashtë. Për mua Vrenozit i takon kapelja e Bufit deri në 11 maj dhe pas 11 majit edhe froni i mbretit të kënetës. Po ju si mendoni?”, ka shkruar Rama.