Pikëkalimi Kufitar i Kakavijës ka njohur një fluks të shtuar gjatë 24 orëve të fundit, në prag të festës së Pashkëve.Sipas të dhënave nga shërbimet e SPK Kakavijë, janë përpunuar gjithsej 12,436 shtetas, nga të cilët 8,194 në hyrje dhe 4,242 në dalje.
Po ashtu janë regjistruar 3,667 mjete që kanë kaluar kufirin, ku 2,594 kanë hyrë dhe 1,073 kanë dalë nga Shqipëria.Krahasuar me fillimin e muajit prill, fluksi është në rritje, dhe vihet re një lëvizje e shtuar edhe në dalje, ku shumë shtetas zgjedhin të kalojnë këto ditë pushimi në Greqi pranë familjarëve apo të afërmve.
Festa e Pashkëve, që këtë vit kremtohet të dielën më 20 prill, pritet të sjellë gjallëri të veçantë në të gjithë zonën jugore të vendit.
Në qytete si Gjirokastra, besimtarët pritet të marrin pjesë në meshën e shenjtë që do të mbahet në katedralen “Ngjallja e Krishtit” për ta kthyer këtë fundjavë në një moment reflektimi dhe bashkimi familjar.
Kujtojmë se vitin e kaluar, gjatë së njëjtës periudhë festive, vetëm përmes PKK Kakavijë kanë hyrë në Shqipëri rreth 25 mijë emigrantë, një tregues i rëndësishëm i fluksit tradicional që shoqëron Pashkët.
Autoritetet kufitare kanë marrë masat për të përballuar fluksin dhe për të garantuar lëvizje të sigurt dhe të rregullt në të dyja drejtimet.