4 të rinj ranë pre e një atentati mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet teksa lëviznin me nje automjet Mercedes Benz G Class. Hetuesit janë të bindur së të rinjtë nuk ishin shënjestër e atentatit dhe se autorët ngatërruan objektiv.
Nga atentati mbetën të plagosur dy vëllezërit D.Demiraj 11 vjec, M.Demiraj 17 vjec, shoku i tyre Kian Mullahi 19 vjec dhe shoferi i makinës Arens Stafa 34-vjec.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 30 minuta, ku pasditen e së enjtes katër të rinjtë kanë shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar te pista ku bëhen gara argëtuese te “Arena Karting Albania” sepse 11-vjeçari D.Demiraj kishte ditëlindjen. Në Pjezë kanë shkuar dy djemtë e pronarit të kompanisë private “Pelikani Security” D.Demiraj 11 vjeç (që kishte ditëlindjen) dhe M.Demiraj 17 vjeç dhe bashkë me ta edhe shoku i tyre Kian Mullahi, i cili studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë një ditë para ngjarjes për Pashkët, pasi prej vitesh studion jashtë. Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin pasi janë edhe komshinj prej kohësh dhe i kanë banesat në Lundër ngjitur me njëri-tjetrin në një kompleks vilash. Tre të rinjtë i ka çuar në Pjezë shoferi i familjes dhe pronarit të “Pelikani Security” me makinën e familjes Demiraj një G-Class me targë AB002MD.
Pasi kanë përfunduar atje janë nisur për t’u kthyer për në Tiranë në Lundër te banesat e tre të rinjve në, ku do festonin edhe ditëlindjen e 11-vjeçarit me familjarët. Gjatë kthimit janë futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur janë futur te rreth rrotullimi i Shkozës për të vijuar ecjen në autostradë, në këto momente një motor tip Dukati i ka zënë në pritë dhe i është afruar në ecje dhe kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri në drejtim të tyre deri te Agropark (Tregu Agro Ushqimor) ku ka qenë pika kulminante e të shtënave me armë. Shoferi i G-Class është munduar t’i shmanget të shtënave aq sa ka mundur dhe ka arritur të çojë makinën deri në Lundër për të shkuar pranë banesave të tre të rinjve. Gjatë largimit automjeti si pasojë e të shtënave të shumta më armë nuk i kanë funksionuar frenat dhe janë përplasur në vendin ku u gjet makinë në Lundër.
Aty më pas njerëz të rastësishëm që kanë kaluar në atë rrugë kanë ndaluar dhe i kanë dhënë ndihmën e parë dhe me makinat private me shpejtësi i kanë dërguar të katër në spitalin e Traumës pasi të katër kishin mbetur të plagosur. Familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes. 34-vjeçari shoferi dhe 19-vjeçari Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut, ndërsa 17-vjeçari në gjendje stabël, kurse 11-vjeçari në gjendje më të rënduar. 17-vjeçari dhe 19-vjeçari pasi kanë marrë mjekim në spitalin e Traumës janë dërguar në spital privat.
Sa i përket autorëve dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë tre persona. Dy kanë qenë në motor, por hetuesit kanë dyshime se më pas autorët i ka pritur një person tjetër me një automjet dhe janë larguar. Policia deri tani nuk ka gjetur as motorin dhe as ndonjë automjet tjetër të djegur, siç ndodh rëndom në çdo ngjarje kriminale për te fshehur gjurmët.
Sa i përket shkaqeve dhe rrethanave hetuesit janë të bindur që atentati ka qenë ngatërrim shënjestre dhe po hetojnë disa pista të ngatërrimit të shënjestrës, një ndër to është se ngatërresa e shënjestrës mund të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit, ku 1 orë para atentatit në Pllanë të Lezhë u ekzekutua në lokalin e tij babai i Roan Brahimit.
Gruaja e Roan Brahimit jeton në të njëjtën lagje në kompleksin e vilave në Lundër ku jetojnë edhe të rinjtë që u plagosën mbrëmë. Po ashtu kjo e fundit përdor makinë G Class. Mbrëmë ajo ka qenë në Pllanë në Lezhë ku iu vra vjehrri. Hetuesit kanë dyshime që autorët mund ta kenë pritur që të kthehet në Tiranë dhe mund të kenë ngatërruar makinën G Class dhe kanë qëlluar makinë ku udhëtonin 4 të rinjtë. Targa e makinës së gruas së Roan Brahimit ka një numër ndryshe dhe një germë ndryshe nga targa e makinës me të cilën udhëtonin katër të rinjtë.
Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të dy prej të rinjve të plagosur pas ngjarjes dhe të familjarëve të tyre të cilët te tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt. Gjithashtu edhe familjarët e tyre nuk kanë konflikte dhe nuk kanë asnjë precedent të mëparshëm.