Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një sqarim lidhur me sigurinë dhe fshehtësinë e votës për emigrantët shqiptarë që votojnë për herë të parë nga jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi theksoi se procesi i administrimit të votës, sapo ajo të hyjë në sistemin e kompanisë postare DHL dhe të KQZ-së, është tërësisht i garantuar dhe nuk lejon asnjë ndërhyrje apo komprometim të fshehtësisë.
“Në momentin që fleta është në sistemin e DHL dhe KQZ, garantoj 100% ruajtjen e fshehtësisë, kjo garantohet plotësisht nga ne,” – deklaroi ai.
Megjithatë, ai la të qartë se çdo tentativë për të shitur, blerë apo treguar votën përpara se ajo të dorëzohet, është përgjegjësi e vetë qytetarëve dhe shoqërohet me pasoja penale serioze.
“Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë apo tregojnë, është çështje e tyre. Do të thotë se kanë llogaritur edhe pasojat penale. Nëse një fenomen i tillë ndodh, ai shoqërohet me sanksione penale të rënda, deri në 3, 4 apo 5 vite burgim,” paralajmëroi Celibashi.
Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se disa nga detajet në procesin e shpërndarjes së zarfeve me fletët e votimit për shqiptarët e diasporës është modifikuar.
“Kemi shtuar si KQZ kontrollin , një fazë tjetër të saj dhe kompani DHL ka bërë të njëjtën gjë, kjo na ka çuar në shtyrjen e afateve për dorëzimin e fletëve të votimit, por kjo nuk cënon procesin.
Ne shpresojmë që në 2 ditë, por në rastin më ekstrem brenda javës të përfundojë procesi i dërgimit.
Disa procese pune janë modifikuar gjatë rrugës për të rritur eficencën dhe garancinë.
Zgjedhesit nga jashtë do të njoftohen nga DHL jo vetëm nëpërmjet lënies së një shënimi. Në mënyrë të unifikuar zgjedhjeve të unifikuar do t’u komunikohet me mesazh telefonik apo email se kur u mbërrin zarfi, dhe nëse nuk mund ta presin në banesë, mesazhi do të përmbajë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e zyrave ku mund të shkojnë ta tërheqin.
Kjo besojmë se rrit eficencën dhe mundësinë për shpërndarjen 100 për qind të fletëve të votimit”, tha ai.