Ditën e sotme është zgjidhur përfundimisht martesa e Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj.
Padia për divorc është ngritur nga presidenti i PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli që prej 21 tetorit 2024.
“Kjo është thjesht me një objekt, për zgjidhjen e martesës. Dhe gjykata pasi ne parashtruam shkaqet e zgjidhjes së martesës, administroi edhe aktet shkresore dhe mori vendimin për zgjidhjen e martesës mes paditësit Ilir Meta dhe të paditurës Monika Kryemadhi”, tha avokati i Metës, Genc Gjokutaj.
“Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi : Zgjidhjen e martesës midis paditësit I.M dhe te paditurës M.K”, njoftoi Gjykata e Tiranës.
Sipas njoftimit vetëm pala e Metës ishte e pranishme në seancë, ndërsa Kryemadhi nuk ishte prezente.