Pushteti vendor rezulton me një stok detyrimesh ndaj bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e 3.3 miliardë lekëve apo 33 milionë eurove në fund të Dhjetorit 2024.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re është se ka një ulje shumë të lehtë të borxheve në raport me shtatorin 2024, por në krahasim me dhjetorin 2023, ecuria ka qenë pozitive, pasi rënia e këtij stoku regjistrohet me afro 15 milionë euro.
Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut duket se po ecën në rrugën e duhur, pasi tashmë çdo bashki në vend nuk e arrin më vlerën prej 1 miliardë lekësh, që më parë ka qenë e zakonshme.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve 933 milionë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, 528 milionë lekë për shërbime, rreth 380 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1.3 miliardë lekë shpenzime të tjera.
Por a ka ndryshuar renditja e bashkive që kanë më shumë detyrime dhe cilat janë ato që kryesojnë? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.
Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Kavajë, duke lënë pas Tiranën e cila ka kryesuar për një periudhë të gjatë. Kavaja rezulton me një vlerë detyrimesh afro 738 milionë lekë.
Më pas renditet bashkia Tiranë me 570 milionë lekë borxhe, shifra më e ulët e regjistruar ndër vite, ndjekur nga bashkia Pogradec me 238 milionë lekë, më pas vjen bashkia Rrogozhinë me 161 milionë lekë dhe Vorë me 154 milionë lekë, duke ia lënë radhën Dimalit, Dibrës dhe Cerrikut.
Ajo që vihet re është se nga top lista e 5 bashkive me më shumë detyrime krahasuar me Shtatorin 2024, ka zbritur bashkua Lezhë dhe është përmirësuar në renditje Vora.
Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Malësi e Madhe, Kuçovë, Korçë, Has, dhe Patos.
Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.