Ballina Shqiperia ime Paraja që qarkullon jashtë bankave, pranë një rekordi të ri

Paraja që qarkullon jashtë bankave, pranë një rekordi të ri

Pas rënies së ndjeshme në muajin Janar, volumi i parave që qarkullojnë jashtë bankave në vend ka shënuar një rritje në muajin e dytë të vitit aktual. Në fund të shkurtit, volumi i parave në qarkullim jashtë sistemit bankar rezultoi në vlerën prej 440.2 miliardë lekësh, ose rreth 4.4 miliardë euro, nga 438.1 miliardë lekë në Janar.

Nga të dhënat shohim se vlera e parasë në qarkullim jashtë kanaleve bankare në muajin Shkurt është afuar pranë rekordit të muajit Dhjetor kur vlerësohej në rreth 440.6 miliardë lekë.
Shifrat janë shumë më të larta po t’i karahasojmë me vitet e mëparshme. Madje, vlera për muajin shkurt është shifra e dytë më e lartë pas dhjetorit, që nga viti 2003. Krahasuar me Janarin e vitit 2025, shuma e parave që qarkullojnë në ekonomi është afërisht 2 miliardë lekë më e lartë.

Rritja e parasë në qarkullim jashtë kanaleve bankare është një fenomen që u shtua veçanërisht gjatë periudhës së Pandemisë, kur qytetarët tërhoqën shumë para’ për shkak të pasigurisë. Ndërkohë, vlen të theksojmë se një masë kaq e madhe parash jashtë bankave është tregues i qartë të informalitetit të lartë të ekonomisë shqiptare.

Për të ulur nivelin e parasë jashtë bankave, është e nevojshme të merren masa për formalizimin e ekonomisë. Kjo përfshin përmirësimin e sistemit të tatimeve dhe rritjen e transparencës në transaksionet financiare. Për këtë arsye shpesh është diskutuar kufizimi i përdorimit të parasë cash, që nga ana tjetër sjell edhe shumë përfitime.

Ndërkohë, edhe pse rritja konstatohet përgjatë vitit të pandemisë, rekordet janë regjistruar sifdomos në fund të vitit 2022. Kjo ka ndodhur për shkak të inflacionit, si dhe rritjeve të normës bazë të interesit nga ana e bankës së Shqipërisë.