Ballina Shqiperia ime Tuneli i Llogarasë-ARRSH hap tenderin 311 milionë lekë për mirëmbajtjen

Tuneli i Llogarasë-ARRSH hap tenderin 311 milionë lekë për mirëmbajtjen


Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur hapjen e tenderit për mirëmbajtje pajisjesh dhe operimi i Tunelit të Llogarasë. Fondi limit i përllogaritur është 311 milionë lekë.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, kontraktori në cilësinë e Menaxherit të Tunelit do të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëfunksionimin e tunelit, ambientet përreth tij, si dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të operimit të tunelit. Menaxheri i Tunelit është organi, publik ose privat, përgjegjës për menaxhimin e një tuneli rrugor në fazën përkatëse, i cili do të sigurojë shërbimet e kërkuara të menaxhimit/operimit të tunelit dhe shërbimet e kërkuara të mirëmbajtjes dhe funksionimit të pajisjeve të tij.

Si objektiv themelor, do të sigurojë mbi të gjitha sigurinë, efektivitetin dhe efiçencën në punë, operimin sa më ekonomik të tunelit dhe akseseve të tij në përputhje me qëllimet e Direktivës së BE.  Gjithashtu do të sigurojë mirëmbajtje efektive për makineritë operuese dhe të gjitha punimet e montimit që janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e punës në tunel.

Ndërkohë, punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, pas garës tenderuese të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk. Tuneli i Llogarasë është  hapur zyrtarisht që në 5 korrik 2024, për të lehtësuar aksesin e qarkullimit të mjeteve drejt jugut të Shqipërisë

Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km, ndërsa shkurton kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.