Inflacioni i përgjithshëm për muajin Shkurt rezultoi 1.9%, sipas publikimit më të fundit të INSTAT. Një nga kategoritë që ka shënuar rritjen më të lartë është ajo e produkteve “Qumësht, djathë dhe vezë”, e cila renditet ndër sektorët kryesorë mes grupit të ushqimeve me një normë inflacioni prej 2.8%.
Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo kategori ka shënuar një rënie prej 2.1 pikë përqindje, pasi në shkurt të vitit 2023 inflacioni për këtë grup produktesh ishte 4.9%.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Eurostat, çmimi i qumështit në vendet e Bashkimit Europian ka pësuar një rritje të ndjeshme. Në tremujorin e fundit të vitit 2024, çmimet e qumështit në BE u rritën mesatarisht me 15.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Irlandë (+43.7%), Lituani (+33.2%), Belgjikë (+30.8%) dhe Suedi.
Por si ka qenë trendi në Shqipëri?
Të dhënat tregojnë se edhe në vendin tonë çmimi i qumështit ka pësuar ndryshime gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024. Në tetor, një litër qumësht kushtonte 156.2 lekë, në nëntor çmimi u rrit lehtë në 156.4 lekë, ndërsa në dhjetor ra në 155.9 lekë. Nga ana tjetër, nëse i referohemi sërish listës së çmimive nga INSTAT, një litër qumësht në Janar të këtij viti kushtontë rreth 155.7 lekë.
Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimit të qumështit në Europë, ai vijon të mbetet më i ulët se në Shqipëri. Për tremujorin e fundit të vitit 2024, çmimi mesatar i qumështit në vendet e BE-së ishte rreth 0.53 euro për litër, ekuivalent me rreth 53.3 lekë, që është dukshëm më i ulët se çmimi në tregun shqiptar.