Ballina Shqiperia ime 10 aprovime licencash në 2 muaj per energjine diellore, projektet pozicionohen në...

10 aprovime licencash në 2 muaj per energjine diellore, projektet pozicionohen në Qarkun e Fierit  

Viti 2025 ka nisur me një numër të lartë licencash për prodhimin e energjisë nga dielli. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, në total për 2 muajt e parë të vitit janë licencuar 9 kompani për impiante të vegjël me kapacitet deri në 3 MW. 8 nga 9 centralet e licencuar parashikohet të pozicionohen në Qarkun e Fierit. Po ashtu, është licencuar edhe një impiant i madh 100 MW, gjithashtu i parashikuar për t’u zhvilluar në Darzezë të Fierit.

Këto licenca vijnë pas atyre të vitit 2024 që shënoi dhe vlerën më të lartë nga pikëpamja e kapacitetit për aktivitetin e prodhimit të energjisë nga ky burim energjie. Në total gjatë vitit që shkoi u licencuan mbi 303 MW energji diellore për 17 kompani që tashmë kanë marrë dritën jeshile, duke rritur kapacitetin që pritet të instalohet nga ndërtimi i parqeve.

Licencat e para për prodhimin e energjisë nga dielli u dhanë në vitin 2018, për të kaluar në vitet 2019 – 2021, përgjatë të cilëve u licencuan vetëm 6 MW. Pas kësaj periudhe filloi të shënohej një rritje e ndjeshme e numrit të kompanive dhe kapacitetit të planifikuar për t’u instaluar. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 u licencuan 15 kompani për projekte me kapacitet të instaluar të parashikuar prej 225.143 MW, ndërsa gjatë vitit 2023 u dhanë 9 licenca për një kapacitet total prej 102 MW.

Aktualisht, numërohen 62 kompani që kanë marrë licencat e tyre në aktivitetin e prodhimit të energjisë nga dielli, ndërkohë që projektet e tyre arrijë në rreth 731 MW. Dhënia e këtyre lejeve merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi është i varur ndjeshëm nga energjia ujore.