Ballina Shqiperia ime Më 11 maj votojnë edhe 3063 të burgosur, po pajisen me karta!...

Më 11 maj votojnë edhe 3063 të burgosur, po pajisen me karta! ‘Dekriminalizimi’ ndalon të votojnë 1357 persona

Në 11 maj do të hapen qendra votimi edhe në paraburgimet dhe burgjet e vendit.  Mesohet se numri total i të burgosurve dhe të paraburgosurve me të drejtë vote është 3,036. Megjithëkëtë, ata mund të votojnë vetëm nëse kanë karta identiteti. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha zyrtarisht se po vijon punën në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për të garantuar pajisjen me dokumente identifikuese të vlefshme për të gjithë personat me të drejtë vote, duke iu mundësuar kështu ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese. 
Në këtë fazë, ata nuk ishin të gatshëm të tregonin se sa persona brenda IEVP-ve nuk kanë dokumente e rrjedhimisht rrezikojnë të mos votojnë. Ndërkohë, jo të gjithë ata që ndodhen të izoluar mund të votojnë. Sipas të dhënave zyrtare ,numri i personave që u pezullohet përkohësisht e drejta e votës, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, është 1,357 persona, prej të cilëve:  1,294 të dënuar  dhe  63 të arrestuar.

Ligji jua ndalon të drejtën e votës personave që janë në burg për disa vepra të rënda, si: gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, vrasjet, torturat, marrëdhëniet seksuale me të mitur ose me dhunë, rrëmbimet, apo krimet zgjedhore. Ndërkohë, KQZ ende nuk ka miratuar rregullat e votimit brenda burgjeve, pasi PD po këmbëngul që të votojnë vetëm ata të burgosur apo të paraburgosur të cilët kanë gjendjen civile brenda atij qarku ku ndodhet burgu.
Vota e të të dënuarve me burg është bërë mollë sherri që nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, kur socialistët me votat e tyre përmbysën rezultatin dhe fituan Rrogozhinën. Nëse do të zgjedhin të votojnë, më 11 maj, në burgje do të shprehin vullnetin edhe politikanët. Ervin Salianji nga burgu i Fierit, apo Erion Veliaj, Aldi Bllako, Jurgis Cyrbja dhe Ilir Beqaj nga burgu i Durrësit.

Në Tiranë, nga burgu 313 Ilir Meta do të ketë mundësi edhe të zgjedhë, edhe të zgjidhet. Partia e tij garon në koalicion me Berishën, ndërsa vetë Meta do të jetë deputet në një pozicion të sigurt brenda këtij koalicioni, edhe pse gjasat janë që kur të rizgjidhet anëtar i parlamentit, të jetë akoma në qeli.

ReportTv