Nga Eurotuneli te pasaportat e rreme – si kontrabandohen shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar”. Me këtë titull e përditshmja britanike “The Times” i ka kushtuar vëmendje vijimit të trafikut të paligjshëm të emigrantëve shqiptarë në ishull. Në shkrimin që lapsi.al sjell më poshtë të plotë thuhet se “pavarësisht rënies së migracionit nga vendi ballkanik, kalimet ilegale janë plotësisht në fuqi pasi kontrabandistët po përdorin TikTok për të reklamuar disa mënyra për të kaluar kufirin”.
Reklamat shkëlqejnë në TikTok me imazhe të Eurotunelit dhe kamionëve, ose pasaporta të rreme greke, teknika më e fundit që kontrabandistët shqiptarë përdorin për të bindur emigrantët t’i paguajnë me mijëra paund për të hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Reklamat u ofrojnë migrantëve një sërë opsionesh, duke përfshirë një udhëtim gjysmë ore në Eurotunnel ose pasaportë false për 3 muaj, së bashku me një sërë çmimesh.
Ata duket se tregojnë se me gjithë reduktimin e mbërritjeve me varka të vogla gjatë dy viteve të fundit, migrimi i paligjshëm nga Shqipëria është ende në lulëzim.
Në vitin 2022, 12024 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla, një rritje prej 1400% nga 815 që mbërritën një vit më parë.
Pastaj në 2023 numri ra ndjeshëm, me vetëm 924 persona që mbërritën me gomone dhe vetëm 559 deri në shtator 2024, periudha e fundit për të cilën ka statistika të disponueshme.
Rënia e ndjeshme i atribuohet një marrëveshjeje të nënshkruar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të kthyer me shpejtësi emigrantët në vendin e tyre të origjinës. Numri i atyre që hyjnë ilegalisht nëpërmjet rrugëve të tjera është shumë më i vështirë për t’u regjistruar.
Megjithatë, numri i madh i postimeve në TikTok sugjeron se trafikantët po shfrytëzojnë këtë platformë për të kërkuar klientë.
Një llogari e quajtur “bileta_kamioni” reklamon 5 rrugë të ndryshme, duke ofruar një gamë çmimesh dhe kohësh pritjeje. Ajo u mbyll pasi u kontaktua nga “The Times”. Faqja u kërkonte shikuesve të kontaktonin për të marrë një numër telefoni duke parashikuar se do të mbyllej nga TikTok, i cili është bërë efikas në ndalimin e trafikantëve të njerëzve.
Për një emigrant që shikon reklamat, opsioni më i lirë është të blejë një pasaportë greke të falsifikuar, por kjo kërkon një pritje prej 3 muajsh.
Një reklamë, e shoqëruar me një imazh të një qiellgërvishtësi të njohur si “The Gherkin” dhe një autobusi të kuq londinez u thoshte shikuesve në shqip: “Kemi udhëtime nga atje (UK) me ajër, tokë dhe det. Na shkruani për një numër telefoni sepse llogaritë në TikTok mbyllen“.
Një tjetër reklamë, e shoqëruar me një foto të një automjeti duke hyrë në Eurotunnel shkruante: “Si arrijnë britanikët në Francë për 35 minuta? Udhëtim me tren për në Angli. Për 40-50 minuta mbërrini në Mbretërinë e Bashkuar. Pagesa në mbërritje”.
Videoja kishte në sfond një këngë popullore të qytetit të Tropojës, nga i cili mijëra njerëz u larguan drejt Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1998, pas kolapsit të ekonomisë shqiptare.
Një reklamë e tretë thoshte: “Kemi udhëtime çdo ditë për në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të kamionit”. Ofronte një çmim prej 2300 paund për një vend në pjesën e pasme të një kamioni nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar.
Një reklamë e katërt ofronte një udhëtim me gomone për 3000 paund: “Ëndrrat tuaja bëhen realitet për dy orë. Të na shkruajnë ata që duan të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Çmimi 3000 paund”.
Një reklamë e pestë ofronte një pritje më të gjatë, por ishte më pak e rrezikshme. Premtonte të siguronte një pasaportë greke së bashku me përputhjen e gjurmëve të gishtave edhe pse nuk ishte e qartë se si siguroheshin gjurmët.
Çmimi varej nga personi dhe sa e lehtë ishte të gjendej një pasaportë e vjedhur ose e falsifikuar. Reklama thoshte: “Pasaporta greke me gjurmët e gishtave tuaja janë të lira. Duhen 3 muaj për ta marrë. Pagesa bëhet pasi puna të jetë kryer”.
Reklamat janë një shembull i taktikave të përdorura nga “ndërmjetësit e emigrantëve” shqiptarë. Shqiptarët shpesh janë “ndërmjetës” të punësuar nga grupe më të mëdha të krimit të organizuar për të gjetur klientë në vendlindjen e tyre, duke fituar komision për çdo person që e kalojnë përtej.
Ata më pas lidhen me anëtarë të tjerë të rrjetit kriminal, shpesh kurdë, të cilët veprojnë në terren në Gjermani, Belgjikë dhe Francë për të transportuar gomone dhe motorë në plazhet e veriut të Francës.
Rekrutuesit operojnë në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe publikojnë qindra reklama në mediat sociale, duke përdorur kryesisht TikTok për të promovuar udhëtimet. TikTok punëson individë që monitorojnë llogaritë, përfshirë specialistë të gjuhës shqipe dhe fshin ato që dyshon se përdoren për veprimtari kriminale. Megjithatë, trafikantët thjesht hapin llogari të reja për të vazhduar reklamimin e udhëtimeve.
Ka gjithashtu “ndërmjetës” shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët rekrutojnë emigrantë përmes të afërmve ose grupeve të tjera, si bandat kriminale apo kontrabandistët e tregut të zi që ndodhen tashmë në Mbretërinë e Bashkuar. Ata mbledhin paratë nga kontaktet me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Shumica e shqiptarëve që paguajnë trafikantët për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar tërhiqen nga mundësia për të fituar shumë më tepër sesa në vendin e tyre. Një shqiptar që ka bërë këtë rrugëtim thotë: “Mund të fitosh brenda dy ditësh në Mbretërinë e ABshkuar aq sa do të të duhej një muaj në Shqipëri”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha: “Nuk do të ndalemi për asgjë për të shkatërruar modelin e biznesit të bandave të neveritshme të trafikimit të njerëzve përmes bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm ndërkombëtar me Shqipërinë, duke prezantuar masa më të ashpra ligjore se kurrë më parë dhe duke kthyer pothuajse 19 000 persona, duke përfshirë azilkërkuesit e dështuar.
Kushdo që gjendet duke shfrytëzuar njerëz të pambrojtur duke shpërndarë gënjeshtra në mediat sociale do të përballet me pasoja të rënda. Ne po punojmë me Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe kompanitë e mëdha të mediave sociale për të fshirë me shpejtësi reklamat që promovojnë kalimet e rrezikshme me gomone”. ©The Times