Shqiptari Adrian Zeko, i akuzuar për vrasjen e 12-vjeçares Zenaida Selimajt, e cila u dogj e gjallë në 23 shtator 2011 në shkallët e shtëpisë së saj, do të dalë para Gjykatës së Pireut në Greqi.
63-vjeçari, i cili ishte fqinj i viktimës, do të ulet në bankën e të akuzuarve 14 vite pas krimit makabër.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje, zjarrvënie me dashje, tentativë përdhunimi dhe joshje e të miturit nën 14 vjeç.
Sipas mediave greke, më 23 shtator 2011, vajza shqiptare Zenaida Selimaj, vetëm 12-vjeçe, u gjet me djegie që i mbulonin 80% të trupit në shkallët e pallatit ku banonte me prindërit dhe vëllain e vogël. Ajo u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nicës dhe më pas në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia”, ku ndërroi jetë pas 13 ditësh.
Fillimisht, u dyshuar se Zenaida kishte bërë vetëvrasje për shkak të një shënimi të shkruar me dorë nga e mitura e gjetur në shtëpinë e saj.
Megjithatë, hetimet morën kthesë dhe u përqendruan tek rrethi i ngushtë familjar i vajzës, pasi u zbulua se e mitura ishte lyer me terpentinë dhe më pas iu ishte vendosur flaka duke përdorur një çakmak.
Rreth nëntë vjet më vonë, u zbulua tmerri përmes fotografisë së një burri që doli në publik për një krim tjetër që kreu ndaj një të miture.
“Shtëpia e të pandehurit kishte një ballkon me hyrje të drejtpërdrejtë në ballkonin e të miturës. Nga deklaratat e dëshmitarëve, ai e kishte ngacmuar vajzën në periudhën e mëparshme. Për sa i përket pranisë së tij në shkallët ku iu vendos flaka të miturës, ai e ka njohur menjëherë Zenaidën pavarësisht se kishte djegie në 80% të trupit, në një kohë kur prindërit e saj nuk mund ta identifikonin përveçse nga thonjtë dhe vathët që mbante. Më tej, i pandehuri ka pohuar që në fillim se 13-vjeçarja e ka ndezur vetë zjarrin, ndërsa familjarëve dhe të afërmve i ka pohuar se ka tentuar ta shuajë zjarrin me duar. Pas ngjarjes dhe gjatë shtrimit të të miturës në spital, i akuzuari çdo ditë shkonte në shtëpinë e saj, duke pyetur vazhdimisht familjarët e saj nëse viktima kishte denoncuar ndonjë gjë në polici”, thuhet në aktakuzë.
Ndërkohë, nëna e të miturës ka deklaruar se autori duhet që të vendoset para përgjegjësisë.
“Ai po aktronte dhe po tallej me ne. Unë dua që ai të paguajë për atë që i bëri vajzës sime. E bëri dhe duhet të paguajë. Nuk e di nëse kam forcë të përballem me të në gjykatë. Ai po tallej me ne. Dua që ai të dënohet sepse fshiu përgjithmonë buzëqeshjen e vajzës sonë”, tha nëna e Zenaidës.
Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri e ka joshur Zenaidën dhe ka tentuar ta përdhunojë, më pas e ka ndjekur nga shkallët e shtëpisë së saj dhe e ka djegur të gjallë, teksa e mitura tentoi të shpëtonte.
“Pasi tentoi të kryente marrëdhënie të pavullnetshme me të miturën, ai kreu akte seksuale ndaj saj, por para se ajo të rezistonte fuqishëm në mbrojtje të lirisë së saj seksuale dhe të tentonte të ikte përmes shkallëve shtëpisë së saj, ai e dogji për të fshehur çdo provë inkriminuese në trupin e saj nga akti i tij i mëparshëm kriminal, duke përdorur një lëng të ndezshëm dhe më pas i vuri plakën”, thuhet në aktakuzë.