Një udhëzim i ri është botuar në Fletoren Zyrtare për informacionin në kohë reale mbi trafikun në vend.
Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ARRSH duhet që brenda 6 muajve të përgatisë dhe të menaxhojë të dhënat mbi rrjetin rrugor dhe qarkullimin.
Me anë të një aplikacionit (SIT), qytetarët do jenë në gjendje të shohin në kohë reale gjendjen e trafikut në çdo aks rrugor të vendit.
Kjo nismë vjen në një kohë kur Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur të shtrëngojë rregullat për automjetet që parkojnë në korsitë e dedikuara për autobusë e taksi, në korsitë e emergjencës, tek vizat e bardha, apo në hapësira të tjera që pengojnë qarkullimin.
Individët që kryejnë parkim të gabuar jo vetëm do të gjobiten, por edhe do t’u tërhiqet mjeti me karrotrec.
Këto masa synojnë lehtësimin e trafikut në kryeqytet.
Në këtë mënyrë, vendi do të pajiset me një sistem të përditësuar monitorimi, ku informacioni mbi rrugët, aksidentet, kufizimet dhe fluksin e automjeteve do të jetë i aksesueshëm në çdo moment.
Zbatimi i plotë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2027.