Ballina Shqiperia ime Blushi: Beleri dhe Dule u penguan të takojnë Metën në burg

Blushi: Beleri dhe Dule u penguan të takojnë Metën në burg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bëri të ditur sot se SPAK ka penguar deputetin dhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Blushi e konsideroi këtë, shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut.

“Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët. Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si ‘vegël qorre’ e Edi Ramës dhe ‘Rilindjes’”, tha Blushi.

Sipas tij, “shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet”.

Në emër të Partisë së Lirisë, Blushi u bëri thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt.