Ballina Shqiperia ime Mbi 303 MW energji diellore në 1 vit – 17 licenca të...

Mbi 303 MW energji diellore në 1 vit – 17 licenca të reja gjatë vitit 2024, sasia më e lartë e shënuar që nga 2018

Mbi 303 MW energji diellore u licencua përgjatë vitit 2024, vlera më e lartë e shënuar që nga nisja e licencimit të kompanive në aktivitetin e prodhimit të energjisë nga ky burim energjie.

Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në total janë 17 kompani që tashmë kanë marrë dritën jeshile, duke rritur kapacitetin që pritet të instalohet nga ndërtimi i parqeve.

Licencat e para për prodhimin e energjisë nga dielli u dhanë në vitin 2018, për të kaluar në vitet 2019 – 2021, përgjatë të cilëve u licencuan vetëm 6 MW.

Pas kësaj periudhe filloi të shënohej një rritje e ndjeshme e numrit të kompanive dhe kapacitetit të planifikuar për t’u instaluar.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 u licencuan 15 kompani për projekte me kapacitet të instaluar të parashikuar prej 225.143 MW, ndërsa gjatë vitit 2023 u dhanë 9 licenca për një kapacitet total prej 102 MW.

Aktulaisht, numërohen 55 kompani që kanë marrë licencat e tyre në aktivitetin e prodhimit të energjisë nga dielli, ndërkohë që projektet e tyre arrijë në rreth 620 MW.

Dhënia e këtyre lejeve merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi është i varur ndjeshëm nga energjia ujore.

SCAN/Tv