Drejtoria Vendore e Policisë Fier
•Divjakë/Menjëherë pas publikimit të disa pamjeve, në portalin “JOQ”, në të cilat shfaqet një kafshë (qen) i dëmtuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të keqtrajtimit të kafshës. Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua dhe u shoqërua shtetasi F. H., 80 vjeç, banues në fshatin Mizë, për të cilin nisi procedimi penal, për veprën “Keqtrajtimi i kafshës”. Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon median dhe qytetarët, për dokumentimin e rasteve të tilla, si dhe i fton të vijojnë t’i denoncojnë, për të kontribuar në mbrojtjen e kafshëve.
•Ditën e djeshme, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektike, ka rënë zjarr në banesën e shtetases E. M., në lagjen “Kadri Qystri”. Sapo janë njoftuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e tyre ka mundësuar evakuimin e nënës së shtetases E. M., shtetases Rr. M., 78 vjeçe, e cila ishte në pamundësi për të levizur (e paralizuar) dhe në momentin e zjarrit, vetëm në banesë. 78-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore, shkakun e zjarrit.
•Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 50 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 52 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
•Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë pasi gjatë kontrollit në lokalin që administron, u gjet një sasi e vogël Cannabisi dhe 1 mjet prerës (thikë). Lënda narkotike dhe mjeti prerës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.