Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vizituar ne diten e dotme qytetin e Lushnjës me rastin e 105-vjetorit të Kongresit të Lushnjës.
Në një prononcim për mediet, Balluku tha se, “Shqipëria është krenare për këtë gur kilometrik të historisë sonë, por padyshim ju lushnjarët duhet të jeni akoma më krenarë pasi i keni ofruar Shqipërisë mundësinë e zhvillimit të një Kongresi kaq të rëndësishëm në kohën më të vështirë dhe më të errët për të”.
“Kongresi i Lushnjës, përveç se një moment i rëndësishëm historik është pa dyshim një shembull i qartë se kur një popull është i bashkuar, kur një popull është i vendosur për të mbrojtur integritetin e tij territorial dhe mbi të gjitha interesat e tij kombëtar, të gjitha sfidat janë të përballueshme”, tha Balluku.
Edhe sot e kësaj dite Kongresi i Lushnjës mbetet një shembull për të gjithë ne, për mënyrën sesi duhet të jemi bashkë dhe në një unitet të plotë kombëtar, për mënyrën sesi duhet të forcojmë shtetin e së drejtës, sesi duhet të zhvillojmë dhe të forcojmë ekonominë e vendit dhe t’i japim të gjithë shqiptarëve shanse të barabarta”, u shpreh Balluku.
Më 21 janar të vitit 1920 nisi zyrtarisht punimet Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij.
Pjesëmarrës në kongres ishin 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Data 21 janar ishte çelja zyrtare e kongresit, ndërsa punimet e tij u zhvilluan nga 28-31 janar 1920.
Kongresi i Lushnjës hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913.