15 persona janë arrestuar dje në Itali, pas zbërthimit të bisedave në platformën “Sky ECC”. Operacioni u zhvillua me kërkesë të Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Prokurorisë së Bolonjës duke cuar në arrestimin e 15 personave të akuzuar për trafik droge nga Shqipëria, Kosova, Ekuadori, Kolumbia dhe Holanda. Sasia e trafikuar përfshin 23 kilogramë kokainë, 6 kilogramë heroinë, 80 kilogramë hashash dhe 240 kilogramë marijuanë, me një vlerë totale prej rreth 8 milionë euro.
Mediat italiane kanë zbuluar orët e fundit edhe emrat e personave të arrestuar. Ata janë Xhemali Desari, Avni Dushku, Fabjol Dushku, Rigers Kusi, Sokol Lumi, Bashkim Sula, Salvatore Gaetano, Antonio Modafferi, Daniel Palladino dhe Cesare Castellani. Ndërsa në arrest shtëpie janë lënë Julian Nikolla, Armand Pepa dhe Tureldi Tafa.
Daniele Gatta rezulton të jetë dhëndri i Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, ultras i Lazios dhe bosi i trafikut romak të drogës i vrarë në një pritë më 7 gusht 2019. Sipas asaj që doli nga bisedat e koduara të zbuluara nga hetuesit, bashkëshorti i vajzës së Piscitellit, i cili mburret për një lidhje të fortë me një nga liderët më të shquar në Romë, do të kishte dashur të investonte pesë milionë euro me një grup italianësh dhe shqiptarësh për të importuar drogë nga jashtë vendit.