Ballina Shqiperia ime Situata nga moti në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Akset kombëtare janë të...

Situata nga moti në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Akset kombëtare janë të kalueshme

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, deklaroi sot se, akset kryesore të të gjithë zonave në vend janë të hapura ndërsa vijon moti i keq.

Pas një situate të ngarkuar prej 3 ditësh në shkallë vendi me reshje të shumta dëbore dhe shiu nga veriu në jug të vendit, aktualisht situata është shumë e përmirësuar dhe gjendemi tashmë në një situatë të favorshme totalisht, pasi rrugët, akset kryesore të të gjithë zonave janë të hapura”, tha ai.

“Thuajse edhe ato rurale janë drejt hapjes dhe përmirësimit në zonat më të thella dhe të gjitha strukturat janë të angazhuara, janë në krye të detyrës”, vijoi Çako.

Ai theksoi se, “ka funksionuar shumë mirë Mekanizmi i Mbrojtjes Civile në shkallë vendi, duke angazhuar të gjitha institucionet dhe strukturat dhe të gjitha kapacitet për t’i ardhur në ndihma të gjitha rasteve të kërkuara ndihmë nga qytetarët.

“Reshjet pothuajse janë ndërprerë në shkallë vendi. Tashmë ka prezencë të dëborës vetëm në zonat e thella malore, por shpresohet që shumë shpejt edhe ato pak fshatra të jenë të aksesueshme”, tha Çako.

Ai theksoi se, “ka një përmirësim të ndjeshëm të motit si që do të vijojë në ditët në vazhdim dhe AKMC në kontakt intensiv me të gjitha institucionet e paralajmërimit të hershëm me informacionin do të vërë në dijeni qytetarët për çdo situatë që do të përvëlojë më pas”.

Çako përcolli një mesazh për të gjithë qytetarët, të cilët u shpreh ai, “do të duhet patjetër të jenë të kujdesshëm për zonat me prezencë të shtuar të dëborës dhe të akullit për të qarkulluar me automjete me zinxhirë, por edhe me goma dimërore si dhe të jenë të kujdesshëm për lëvizjet e kontrollueshme në rastet kur ka rrezikshmëri të theksuar”.

“Pothuajse të gjitha strukturat gjithashtu janë të gatshme në Qendrën Kombëtare të Emergjencave Civile dhe në të gjitha strukturat e tjera, duhet t’i drejtohen për nevojat që do të kenë”, tha ai.

REAGIMI I MINISTRISE

Edhe Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim në lidhje me situatën e motit të keq, ku njofton se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme. Problematikë, sipas ministrisë, paraqiten disa akse rurale në zona të ndryshme të vendit.

Më konkretisht, në bashkinë Dibër ka problematika në rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.

Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara rrugët rurale të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.

Në bashkinë Klos janë të bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër. Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.

Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë. Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.

Në Bashkinë Devoll vijon puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras. Në bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.

Në bashkinë Has po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.

Vijojnë angazhimin për normalizimin e situatës në Vlorë, prej tashmë tre ditësh Forcat e Armatosura me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavatorë, kamionë vetëshkarkues etj.