Ballina Shqiperia ime Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: Situata nën kontroll

Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: Situata nën kontroll

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon publikun mbi situatën e sëmundjes së Influencës Aviare se janë marrë të gjitha masat për kontrollin dhe monitorimin e fermave të ndodhura në zonat e mbrojtjes (3 kilometra) dhe atë të mbikëqyrjes (10 kilometra) nga vatra e shpërthimit të sëmundjes, prej datës së konfirmimit të infeksionit 28.12.2024 në fshatin Cekrez-Morinë, njësia administrative Zall-Herr.

Sipas MBZHR-së, sektori veterinar i Qarkut Tiranë ka kontrolluar me anë të 11 grupeve të kontrollit ditor, njësitë administrative dhe fshatrat e vendosura nën mbikëqyrjen veterinare, duke bërë të mundur identifikimin e menjëhershëm të një rasti të ri në Paskuqan, në datën 06.01.2025.

Ferma e oborrit familjar me 10 krerë shpendë është kontrolluar pa vonesë dhe janë marrë masat për analizimin laboratorik me metodën konfermatore RT-PCR, e cila ka konfirmuar praninë e virusit të Influencës Aviare të nëntipit H5N1.

Është kryer eliminimi dhe asgjësimi i sigurt i shpendëve të fermës sipas procedurave sanitaro-veterinare, si dhe është kryer dezinfektimi rigoroz i mjediseve dhe mjeteve të kontaktit me shpendët.

Ndërkohë sektori veterinar i Qarkut Vlorë menjëherë pas konfirmimit të rezultatit pozitiv nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për sëmundjen e Influencës Aviare, të nëntipit H5N1 në shpendë të egër të ngordhur në zonën bregdetit të Plazhit të Vjetër të Vlorës, në datën 05.01.2025, ka marrë të gjitha masat për kontrollin dhe monitorimin e situatës.

Çdo ditë 7 grupe pune janë në terren për monitorimin e situatës dhe gjurmimin e hershëm të infeksionit, kanë vijuar kontrolle përgjatë vijës bregdetare, duke përfshirë zonën nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Zvërnec, përveç Lagunës së Nartës; Lagunës së Novoselës; Plazhit të Vjetër; Orikumit; Lagunës së Butrintit; Lagunës së Karavastasë dhe Semanit.

Si rezultat i intensifikimit të monitorimit, po në datë 05.01.2025 ora 20:00, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Vlorë ka njoftuar për 5 shpendë të tjerë egër dhe të ngordhur, të gjendur në bregdetin e Plazhit të vjetër, të cilët mendohen se janë sjellë nga vala dhe mund të kenë ngordhur disa ditë më parë.

Tri karkasa tepër të dëmtuara u groposën menjëherë sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa dy karkasa u dërguan në datën 06.01.2025 për analiza në Laboratorin e Referencës – ISUV, të cilat rezultuan pozitive me Influencë Aviare, nëntipi H5N1.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, përveç intensifikimit të kontrolleve ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet vendore të Zonave të Mbrojtura, Pushtetit Vendor, Policisë së Shtetit dhe Njësive të Kujdesit Shëndetësor, për informacion dhe monitorim të ndërsjelltë.

Instituti i Shëndetit Publik ka kryer kontrollin dhe marrjen e kampioneve nga njerëz në vatrat dhe zonat e kontaktit, të cilat deri tani kanë rezultuar negative.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka mbledhur në mënyrë ditore Qendrën Kombëtare të Krizës me përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për një koordinim të procesit në rrugë ndërinstitucionale.

Ndërkohë janë në fuqi urdhrat e menjëhershëm të Ministrit, për ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e: Njësisë Administrative Vlorë; Njësisë Administrative Qendër; Shushicë; Orikum; Kotë; Paskuqan; Dajt; Tiranë; Farkë; Bërxull; Vaqarr; Kashar; Kamëz; Zall-Herr; Zall-Bastar.