Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha sot se të gjitha ekipet e punës dhe borëpastrueset janë në terren për të garantuar lëvizjet e mjeteve pa asnjë problematikë.
Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar pamjet nga Qafa e Thores e mbuluar nga petku i dëborës.
Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë me mjete të sofistikuara për të garantuar akses për një qarkullim pa problematika”, thotë Balluku në postim.
Ndërkohë, në njoftimin e një dite më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar u shpreh se në Qafë Thore vazhdon puna pa u ndalur.
Një aks me terren të vështirë malor, me lartësi mbi 1800 metra mbi nivelin e detit, temperaturat e ulëta dhe rënia e ortekëve e kanë bërë edhe më të vështirë punën e mjeteve borëpastruesve dhe të punëtorëve.
ARRSH u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore duke reduktuar shpejtësinë, duke u pajisur me zinxhirë dhe goma dimërore.