Brenda gjashtë muajve nga fillimi gradual i zbatimit, çdo vendkalim kufitar në Zonën Shengen pritet të përdorë EES-in e ri.Pas vonesave dhe pengesave të shumta, Sistemi i shumëpritur i hyrjes/daljeve i BE-së (Entry/Exit System, EES) mund të zbatohet së shpejti.
Më 4 dhjetor, Komisioni Europian (KE) propozoi një fillim progresiv të operacioneve për EES, sistemi i ri dixhital i kufijve të Europës për shtetasit nga vendet jo-amëtare të BE.
Pasi propozimi të jetë miratuar dhe KE të ketë caktuar një datë fillimi, vendet anëtare do të kenë gjashtë muaj kohë për të filluar zbatimin.
Dje, faqja zyrtare e BE-së EES konfirmoi se sistemi do të fillojë zbatimin në vitin 2025, megjithëse nuk u dha një datë e saktë. Do të thotë se gati nëntë vjet pasi u propozua EES, më në fund mund të përdoret.
Çfarë është EES?
Sistemi i hyrjes/daljeve do të jetë një sistem i automatizuar regjistrimi për udhëtarët jashtë BE-së, të cilëve nuk u kërkohen viza për të hyrë në BE.
Udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat e tyre ose dokumente të tjera udhëtimi në një vend me vetë-shërbim, sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Ai nuk do të zbatohet për qytetarët ose banorët e ligjshëm të BE-së ose ata me viza për qëndrim afatgjatë.
Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtave do të merren çdo tre vjet dhe janë të vlefshme për udhëtime të shumta brenda asaj periudhe.
Pse po zbatohet EES dhe në cilat vende?
EES do të zbatohet për qytetarët jashtë BE-së, të cilët vijnë në bllok për vizita, pushime ose biznes dhe qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Zyrtarët e BE-së thonë se sistemi po futet për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të identifikuar udhëtarët, që kalojnë kohën e tyre të lejuar në Zonën Shengen (90 ditë brenda një periudhe 180 ditore).
Ai do të zbatohet kur hyni në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe katër vendeve jo anëtare të BE-së në Zonën Shengen: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
EES është përballur me vonesë pas vonese
Në gusht, Ylva Johannson, ish-komisionerja e BE-së për punët e brendshme deklaroi se EES do të ishte gati të niste përpara se mandati i saj pesëvjeçar të përfundonte në nëntor.
Por dy muaj më vonë, Johansson njoftoi se data e zbatimiy të sistemit më 10 nëntor do të shtyhej përsëri. Kjo shënoi shtyrjen e katërt.
Johansson vuri në dukje se Franca, Gjermania dhe Holanda – vende që marrin kolektivisht më shumë se 100 milionë turistë në vit – i thanë KE-së se nuk ishin gati të zbatonin sistemin, duke shprehur shqetësime për mungesën e testimit praktik.
Vonesat e mëparshme janë fajësuar për çështjet e IT-së dhe instalimin e barrierave të reja të automatizuara të kërkuara në të gjithë kufijtë ndërkombëtarë tokësorë, detarë dhe ajrorë në Zonën Shengen. Disa aeroporte raportuan se duhej të përforconin dyshemetë e tyre për të akomoduar skanerët e rinj të rëndë.
Si do të duket hyrja në zonën Shengen në vitet në vijim
Ndërsa një datë zyrtare e nisjes ende nuk është shpallur, nuk ka pasur kurrë asnjë pyetje nëse EES do të zbatohej apo jo.
Qasja graduale duket se u jep shteteve pjesëmarrëse më shumë fleksibilitet për të përshtatur teknologjinë e tyre dhe për të zgjidhur çështje të papritura.
Synimi, sipas KE, është që sistemi i ri të funksionojë në 10 % të kalimeve kufitare në çdo vend anëtar në ditën e parë. Gjatë kësaj periudhe, pasaportat e udhëtarëve do të vazhdojnë të vulosen, si dhe të regjistrohen në mënyrë elektronike.
Gjashtë muaj të tjerë pasi EES të jetë vënë në funksion, udhëtarët do të duhet gjithashtu të aplikojnë për Sistemin Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), një program për heqjen e vizave për udhëtarët nga mosha 16 deri në 70 vjeç.
ETIAS do të kushtojë 7 € dhe do të jetë e vlefshme për tre vjet.
Ndërsa një aplikacion i krijuar për të thjeshtuar hyrjen dhe daljen nga Europa është gjithashtu në zhvillim, aftësia e tij për të kapur të dhënat e kërkuara biometrike si shenjat e gishtërinjve mbetet e paqartë./Monior