Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi në faqen e saj së fundmi se kanë mbërritur 8 aplikime pranë saj për projekte që synohet të zbatohen nga kompani të ndryshme dhe që në total përbëjnë një kapacitet të instaluar prej 441 MW.
Projektet në fjalë janë investime të kompanive që operojnë në sektorë të ndryshëm jo vetëm energji dhe që e shohin fushën e fotovoltaikëve si një formë diversifikimi të tyre teksa edhe rajonet ku parashikohen këto projekte janë të ndryshëm.
Kështu projekti i parë është kërkuar nga kompania “TEKNO FIRE” sh.p.k për një impiant me kapacitet 102 MW dhe që nuk përfiton nga masat mbështetëse të qeverisë. Zona e planifikuar e ndërtimit është ajo e Mbreshtanit në Korçë.
“EZ-5 ENERGY” sh.p.k është një tjetër kompani aplikuese për një impiant 30 MW në Povelcë në Fier ku në fakt janë të përqendruara një pjesë e mirë e projekteve fotovoltaikë.
Edhe “POWER ENERGY” sh.p.k ka aplikuar për një impiant 25 MW po në Povelçë kurse “ALBANIA SOLAR POWER” sh.p.k ka kërkuar ndërtimin e një impianti me kapacitet të instaluar 82 Mw në fshatin Boçovë të Levanit.
“KRONOS KONSTRUKSION” sh.p.k ka aplikuar pranë MIE për një projekt 50MW në fshatin Vërnik, në Devoll, kurse “GREENCELLS RENEWABLE ALBANIA” sh.p.k e cila ka bërë aplikimin për projektin më të madh ndër këto të 8-a prej 117 MW kapacitet synon të ndërtojë një impiant në Fushë Cidhën të Dibrës nëse do të miratohen hallkat e tjera autorizuese.
“VERBUND GREEN POWER ALBANIA” sh.p.k ka aplikuar për një fotovoltaik me kapacitet 25.5 MW në Darzezë në Fier dhe e fundit “SUMMERSUN” SH.P.K ka aplikuar për një impiant 10 MW në Korçë.
Të gjithë projektet nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masa mbështetëse çka do të thotë që nëse do të ndërtohen energjinë do ta shesin në treg të lirë.