Xhihadistë me pasaporta të rregullta mund të kalojnë nëpër Greqi. Masa ekstreme sigurie në portet dhe aeroportet e vendit.Shërbimet sekrete greke janë vënë në alarm të kuq mbas informacioneve të marra në rrugë operative se anëtarë të organizatave islamike që tashmë morën kontrollin e pushtetit në Siri, mund të përdorin infrastrukturën shtetërore siriane për tu pajisur me pasaporta të rregullta dhe të udhëtojnë drejtë vendeve të Europës.
Burime të besueshme i thanë se janë dhënë urdhra dhe direktiva të qarta në pikat hyrëse të vendit, porte dhe aeroporte për verifikimin dhe ndalimin e çdo personi të dyshuar.Sipas informacione bëhet fjalë për seri të caktuara të pasaportave biometrike siriane të cilat kanë rënë prej muajsh në dorë të grupeve radikale, madje besohet se lideri i xhihadistëve sirianë Al Xhuliani ka përdorur disa herë aeroportet greke për të udhëtuar drejtë Belgjikës dhe vendeve të tjera europiane.
Dyshimet për aktivitetin e grupeve radikale janë shtuar edhe prej informacioneve të Europol, të cilat bëjnë fjalë për tentativa të organizatave radikale për t’u riformatuar ose për shtimin e radhëve të tyre mes emigrantëve që mbërrijnë në ishujt grekë.
Europol ka paralajmëruar se këto organizata financohen kryesisht prej trafikut të drogës, armëve dhe emigrantëve klandestinë, ndërsa degët e tyre janë përhapur edhe në shumë vende të Europës.
Ndërkohë autoritet greke gjatë orëve të paradites të së mërkurës së 11 dhjetorit do të vendosin për pezullimin e kërkesave për azil të më shumë se 3500 shtetasve sirianë që jetojnë në vend.
Vendimi është marrë prej kryeministrit Mitsotakis dhe do të marrë edhe formalisht vulën e këshillit të sigurisë kombëtare që mblidhet urgjentisht mesditën e së mërkurës. Në këtë mënyrë u jepet mundësia gjithë shtetasve sirianë të përndjekur nga regjimi i al-Assad, të kthehen të lirë në vendin e tyre, thanë burimet.
Të njëjtat burime i thanë Top Channel se gjatë orëve në vazhdim do të dërgohet në drejtoritë e rajonale të kufirit edhe urdhri për kontrolle të rrepta edhe të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të regjimit al-Assad të cilët gjatë ditëve të fundit kanë zgjedhur Greqinë për t’u tranzituar drejt vendeve europiane dhe SHBA-ve.
Mësohet se ndaj këtyre zyrtareve do të aplikohen kontrolle të rrepta kufitare dhe doganore ndërsa gjatë ditëve dhe orëve në vazhdim do të urdhërohet identifikimi dhe inventarizimi i pronave dhe llogarive bankare në territorin e Greqisë të ish-zyrtarëve të lartë të regjimit të al-Assad.
Vlen të përmendet se Athina ka ndaluar çdo kontakt me qeverinë e al-Assad që në vitin 2012 dhe largoi si “non-grata” ambasadorin sirian në Greqi në atë periudhë, pasi më parë njohu opozitën e atëhershme si përfaqësuese të vetëm të Sirisë.
T/CHN