Ballina Shqiperia ime SPAK njoftim zyrtar për deputetin e PD Asllan Dogjani: Kontratë fiktive për...

SPAK njoftim zyrtar për deputetin e PD Asllan Dogjani: Kontratë fiktive për blerjen e një apartamenti

SPAK ka dërguar për gjykim dosjen e deputetit të PD-së Asllan Dogjani, që akuzohet për veprën penale “Deklarim i rremë i pasurisë”. Sipas SPAK, Dogjani ka bërë deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti.

“SPAK dërgon për gjykim deputetin Asllan Dogjani për deklarim të rremë të pasurisë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 2 dhjetor 2024, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

I pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë  i Kodit Penal.

Deklarimi i rremë për përfitimin e një apartamenti

Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë,  përmes pagesave cash.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, thuhet në njoftim.