Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka shkundur sërish politikën. Pas mesazheve të pak ditëve më parë, ai sot ja u ka bërë sërish të qartë se kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve apo ka shkelur ligjin, do të mbajë përgjegjësi. Por jo vetëm ata… edhe emrat e lidhur me bandat.
Ai bëri një deklaratë të fortë, pasi tha se shumë zyrtarë janë të lidhur kokë e këmbë me krimin. Dumani u shpreh se thuajse në të gjitha grupet kriminale dalin lidhje me zyrtarë. Në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës, Altin Dumani u shpreh se një nga shtyllat e suksesit ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Sipas kreut te Prokurorisë së Posaçme nga data e krijimit të SPAK deri tani janë sekuestruar një total prej 150 mln euro asete. Altin Dumani gjate aktivitetit te zhvilluar ne sallen e Parlamentit, ka theksuar se shume zyrtare te larte nga hetimet kane rezultuar te lidhur me organizitat kriminale.
“Një shtyllë e sukesesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtarë, si në luftën kundër korrupsionit ashtu dhe krimit të organizuar. Pasi thuajse në të gjitha rastet e hetimeve, ku në fokus ka qenë krimi i organizuar, kemi gjetur lidhje me zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët janë korruptuar ose janë bërë edhe pjesë e grupeve të krimit të organizuar”, tha ai.
Deklarata e tij u bënë në Kuvend dhe si për ironi të fatit, Dumani ishte ulur te vendet ku qëndrojnë ministrat, pasi po zhvillohet takimi i Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës, me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse në luftën ndaj korrupsioni”.
Dumani u ndal gjithashtu tek investimet në teknologji moderne dhe digjitalizimin si mjete të fuqishme për të luftuar korrupsionin dhe si të dobishme në procesin e hetimeve. Ai theksoi se sfida kryesore mbetet ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK.
“SPAK nuk mund të luftojë i vetëm, ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera, me qëllim të jemi të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit. Beteja kundër korrupsionit është një përpjekje e përbashkët morale dhe shoqërore. Vazhdojmë të jemi të përkushtuar, në dobi të një shoqërie më të drejtë”, tha Dumani.
Dumani theksoi se puna e institucionet që drejton nuk konsiston vetëm në pritjen e kallëzimeve, por ka qenë një punë proaktivë për vënien para përgjegjësis të kujtdo. Ai tha se SPAK nuk rri e pret. Ai ka ripërsëritur kërkesën që Prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia që të rikandidojnë për mandatet e tyre, pasi kanë një mandat 9-vjeçar, i cili kur përfundon, e kthen prokurorin e SPAK në prokurorinë ku ka qenë më parë.
“Kemi një SPAK funksional por përpara nesh ka shumë sfida dhe përparësi. Në mënyrë të përsëritur SPAK ka paraqitur qoftë gjatë raportimit në KLP, por edhe në Kuvend, disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë zgjidhje ligjore nga Kuvendi. Sfida e parë është ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Kushtetuta dhe ligji garanton pavarësinë e SPAK dhe kjo pavarësi është një nga shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen penale me natyrë korruptive apo edhe të krimit të organizuar. Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit.
Mandati është 9 vite dhe pas 9 viteve kthehen në vendin ku kanë qenë më parë, para se të bëheshin pjesë e SPAK. Kemi kërkuar të rishikohet dhënia e mundësisë prokurorit të posaçëm, jo zgjatje automatike të mandatit, që të rikandidojnë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e SPAK”, tha Dumani.
Ai tha se SPAK ka ushtruar ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të ndryshëm të pushtetit ekzekutiv, anëtarë të Kuvendit, pushtetin gjyqësor, gjyqtarë prokurorë, avokatë apo edhe funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit