Ballina Shqiperia ime SPAK thirrje mediave: Respektoni vendimin e GJKKO për mbrojtjen e sekretit hetimor

SPAK thirrje mediave: Respektoni vendimin e GJKKO për mbrojtjen e sekretit hetimor

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u bëri sot thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për çështjen penale nr. 138 dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor.

Spak thekson se, çdo publikim i paautorizuar, jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.

Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që: “26. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.”

27. Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

SPAK sqaron se, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor.

SPAK bën tē ditur se, të gjithë personave nen hetim ju është përcjellë kopje e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e një procesi hetimor të drejtë, transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve.