Dy punonjës sigurie të kompanisë private të sigurimit “Nazeri” janë plagosur sot pasdite rreth orës 16.15 pasi mjeti i blinduar me të cilin udhëtonin nga Përmeti për të transportuar drejt Tiranës një sasi të madhe vlerash monetare është përplasur në një kthesë pranë fshatit Kodër të Tepelenës me një fuoristradë.
Dy punonjësit janë transportuar për në spitalin e Gjirokastrës për ndihmë mjekësore ndërsa kompania private i ka zhvendosur paratë me një mjet tjetër.
Mësohet se në mjetin e kompanisë private ishin 500 mijë euro që po transportoheshin.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Paraprakisht mendohet se mjeti i blinduar në kthesë ka kryer një manovër të gabuar për shkak të fushëpamjes së kufizuar për shkak të bimësisë në të dy krahët e rrugës.
Drejtuesi i fuoristradës një Range Rover që udhëtonte nga Tepelena në Përmet gjithashtu po pyetet për rrethanat e aksidentit.