Prokuroria Tiranë përfundoi sot hetimet dhe çoi në gjyq Fatjon Muratin, në kërkim për disa vepra penale, nga pjesëmarrja në organizatë kriminale, tek trafikimi i lëndëve narkotike.
Ish-boksieri Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.
Vuri pasuritë në emër të nënës dhe vëllezërve/ Kush është ish-boksieri i shpallur në kërkim, i doli emri në “Masakrën e Fushë Krujës” ku u vra Brilant Martinaj
24/10/2024 11:29
Prokuroria Tiranë përfundoi sot hetimet dhe çoi në gjyq Fatjon Muratin, në kërkim për disa vepra penale, nga pjesëmarrja në organizatë kriminale, tek trafikimi i lëndëve narkotike.
Ish-boksieri Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.
Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, (nipi i Ervis Martinajt), Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Shoferi Besmir Hoxha dhe pasagjeri i parë, Brilant Martinaj ndërruan jetë në vend. I treti, Diklen Vata që qëndronte në sediljen e pasme u plagos por mundi të dilte nga “Volksëagen Passati” dhe të bënte disa metra. Autorët e kanë parë dhe i kanë shkuar pas, duke e qëlluar përsëri derisa e lanë të vdekur krah karrexhatës.
Murati ka ushtruar aktivitetin e tij në sportin profesionist para 12 viteve dhe është i njohur në botën e sportit. Ai ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.
Në atë periudhë ai jetonte në Gjermani dhe në përballjen për titullin kampion, ai nuk regjistronte asnjë humbje. Karrierën në boks Murati e kishte nisur në Shqipëri, ku edhe ishte spikatur për talentin e tij dhe në vitin 2008 ai hyri në boksin profesionist në Mynih të Gjermanisë.
Kujtojmë se Murati është një emër i njohur edhe për drejtësinë italiane, ku dyshohej si pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe vjedhjeve. Më pas emri i tij u përmend gjatë 2022, kur u arrestua teksa ishte në një makinë me Endrit Doklen.
Prokuroria vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të tij me vlerë 5 milion euro në atë kohë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të. Por Gjykata e Apelit vendosi zbutjen e masës së sigurisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Muratin.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Tiranë, nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.
Konkretisht;
– Njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës;
– Automjet Citroen;
– Automjet Mercedes Benz; dhe
– Automjet Daimler.
Këto pasuri në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.
Sa më sipër, nga hetimet paraprake rezulton e provuar se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se i pandehuri F.M., ka konsumuar plotësisht elementët e figures së veprës penale të parashikuar nga neni 287/a i K.Penal. Në materialin referues thuhej se shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.