Gjykata e Lartë vendosi rrëzimin e kërkesës së Ervin Salianjit për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit.Vendimi u mor nga trupa gjykuese që kryesohej nga Sokol Binaj dhe antarë Ilir Panda dhe Sandër Simoni, e mbajtur në dhomë këshillimi pa praninë e palëve.
“Mospranimin e kerkeses se paraqitur nga kerkuesi Ervin Salianji, per Pezullimin e vendimit nr.2900 date 18.12.2019, te Gjykates se Rrethit Gjyqesor TIrane, lene ne fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tirane”, theksohet në vendim.Avokatët e Salianjit pretendojnë se në vendimin e Apelit është shkelur parimi i proporcionalitetit të dënimit. Sipas tij çdo ndëshkim apo masë kufizuese e lirive të garantuara duhet të jetë e balancuar, e arsyeshme dhe të përputhet me qëllimin për të cilin është aplikuar.
“Dënimi me një vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të Rremë”, në rastin e deputetit Ervin Salianji, përbën një shkelje të parimit të proporcionalitetit, pasi ky dënim është dukshëm i tepruar në raport me natyrën e veprës penale dhe rrethanat e çështjes. Për më tepër, ai nuk përmbush asnjë funksion të parandalimit të përgjithshëm apo parandalimit të posaçëm, duke e bërë ekzekutimin e tij të padrejtë dhe të paligjshëm”, thuhet në parashtrimet e avokatëve të ish deputetit demokrat.
Një tjetër nen i kushtetutës që është shkelur, sipas avokatëve të Salianjit, është neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.
“Rasti i denoncimit të kryer nga Ervin Salianji, në cilësinë e tij si deputet, bie plotësisht nën mbrojtjen e këtyre dispozitave. Aktiviteti i tij i denoncimit të një çështjeje me interes publik mbështetet nga parimet themelore të lirisë së shprehjes, dhe ndëshkimi i tij penal për një veprim të tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes, në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në”.
Pala e ish deputetit Salianji vlerëson gjithashtu se ekzekutimi i vendimit të Apelit për vuajtjen e dënimit me burg cenon gjithashtu procesin zgjedhor në vend.
“Ekzekutimi i një dënimi të tillë penal në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 krijon një ndërhyrje të padrejtë në procesin zgjedhor, duke ndaluar kandidimin dhe fushatën e një deputeti aktiv. Ky ndëshkim prek të drejtën e tij për të kandiduar dhe për të marrë pjesë në procesin politik si përfaqësues i një pjese të rëndësishme të elektoratit. Çdo veprim që ndërpret mundësinë e kandidimit të një deputeti të zgjedhur, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, është haptazi joproporcional, dhe është një sulm mbi demokracinë dhe lirinë e zgjedhjeve”, shkruajnë avokatët e Salianjit
Ai dënua nga Gjykata e Apelit më 26 shtator me 1 vit heqje lirie, ndërsa u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas vendimit. Ai po vuan dënimin në burgun e Fierit.
Kujtojmë se 4 ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.