Dy ditë pasi u thirr në SPAK, deputeti i PS-së dorëzon mandatin
Dy ditë pasi dëshmoi mbi 5 orë në SPAK, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar zyrtarisht mandatin e deputetit të Partisë Socialiste
Edhe pse nuk ka njoftim zyrtar mbi këtë vendim, shkak mendohet të jetë akuza e opozitës për falsifikime dhe mbivendosje pronash në zonën e tij elektorale.
Kujtojmë se të martën, njëri pas tjetrit në SPAK janë paraqitur dy deputetë, një i PS-së dhe një i PD-së.
Pak para orës 10 në Prokurorinë e Posaçme u paraqit i zgjedhuri i PD-së Isuf Çela, e vetëm 5 minuta më pas tij mbërriti dhe socialisti Jurgis Çyrbja.
Demokrati qëndroi për rreth një orë e 20 minuta duke dhënë dëshminë, por pa dhënë shumë detaje mbi shkakun e thirrjes
Ndërkaq përfaqësuesi i mazhorancës qëndroi për rreth 5 orë, por në dalje të SPAK-ut mohoi të jetë thërritur si i pandehur
Çyrbja është akuzuar disa herë nga opozita, ndërsa i fundit ka qenë Edi Paloka, i cili e ka denoncuar në SPAK për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje
Në atë kohë Paloka pretendoi se edhe javët e fundit të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë çertifikata dhe legalizime, siç tha ai njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.