Shkak për vrasjen e 65-vjecarit Gëzim Bizgjoni mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjashtë të Sarandës, dyshohet të ketë qenë debati për uljen e muzikës. 65-vjecarit mësohet se në 9 shtator të këtij viti i kishte ndërruar jetë vajza 29-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë.
Ai i ka kërkuar 40-vjeçarit Admir Beqiri, të cilin e strehonte në banesë, që të ulte muzikën pasi mbante zi. Kjo mendohet të ketë qenë zanafilla e konfliktit që degjeneroi në dhunë.
Beqiri e ka goditur me shishe e grushte 65-vjecarin, ndërsa dyshimet janë se ka përdorur edhe sëpatë, duke e lënë te vdekur në vend. Trupi i viktimës mësohet se është nisur drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për të kryer ekspertizën.
Bizgjoni punonte në ndërtim me mure guri dhe gëzonte respekt në komunitet, pa krijuar asnjëherë shqetësime. Nuk dihet arsyeja se pse Bizgjoni strehonte Admir Beqirin, duke ditur që ky i fundit është banor autokton në Gjashtë dhe ka shumë familjarë të tij në këtë fshat.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe mendon se e pranishme ka qenë edhe një shtetase femër, e cila është larguar nga vendngjarja. Kjo e fundit është bashkëjetuesja e Admir Beqirit.
40-vjecari Admir Beqiri njihet si person me precedentë penalë që në fillim të viteve 2000. Ai ka qenë edhe vitet i fundit i shoqëruar nga policia për veprime të dhunshme të kryera në fshatin Dërmish të Bashkisë Finiq.
Burime konfidenciale pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Beqiri dyshohet edhe si autor i një ngjarje të rëndë të kryer në Athinë. Në shtator 2012 në fshatin Gjashtë është vrarë me armë zjarri një nga vëllezërit e Beqirit, 42-vjecari Ardian Beqiri, edhe ky me precedentë penalë. Shkak për vrasjen ishte bërë një konflikt për pazare droge.