Një shtetas shqiptar është ekzekutuar në Spanjë, ndërsa trupi i tij është braktisur në derën e spitalit. Ngjarja ka ndodhur në La Selva të Gironas, ku një automjet tip “Audi” braktisi në derën e spitalit “Blanes” një person të vdekur. Viktima, i identifikuar më pas si shtetas shqiptar, ishte qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.
Sipas policisë, mjeti që e braktisi ishte “Audi” ngjyrë e zezë me targa të huaja dhe brenda tij mendohet se kanë qenë 3 persona. Viktima nuk kishte mjet identifikimi me vete dhe autopsia e tij pritet të zhvillohet të hënën.
Disa orë pas ngjarjes, në stacionin e policisë Lloret de Mar Mossos d’Esquadra, është paraqitur një shtetas i cili deklaron se ka dijeni për krimin. Policia ende nuk ka deklaruar nëse personi është i përfshirë në vrasje apo ka qenë në automjetin që braktisi trupin e viktimës. Paraprakisht mendohet se shkak i ngjarjes janë përplasjet për trafikun e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në Spanjë.