Puna për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Patosit po vijon me ritme të larta.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ndoqi nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier, ku po ndërtohet ujësjellësi i ri nga ku do të furnizohen me ujë të pijshëm afro 40 mijë banorë.
Një investim i cili do të garantojë furnizim me ujë të pijshëm pa ndërprerje për banorët e qytetit dhe fshatrave përreth”, tha Balluku, teksa informoi se do të instalohen edhe 4 mijë matësa të rinj për të gjithë zonën.
Aktualisht punimet po vijojnë në lotin e tretë të ujësjellësit të ri, që plotëson përfundimin e të gjithë skemës së këtij investimi në bashkinë e Patosit, duke përfshirë kështu rreth 15 fshatra që nuk ishin përfshirë në lotin e parë dhe të dytë.
Gjithashtu theksoi Balluku, ne parashikojmë që këtu të ndërtohen edhe parqe fotovoltaike si mekanizma që ulin kostot, duke qenë se sistemet e pompimit rëndojnë buxhetet e ndërmarrjeve të ujësjellësave.
Balluku u ndal në rëndësinë e vijimit të reformimit të ndërmarrjeve rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve siç është ajo e Fierit apo e Lushnjës, ku deri tani është arritur të ulet në 5% uji pa të ardhura dhe është rritur me mbi 31 milionë lekë niveli i arkëtimeve nga faturat e ujit krahasuar me një vit më parë.
“Ky investimi do të ulë në masën 25% nga 80% aktualisht nivelin e humbjeve në rrjet për shkak të amortizimit, krahas përmirësimit të shërbimit për furnizimin me ujë të pijshëm të 40 mijë banorëve”, u shpreh Balluku.
Ajo vuri në dukje se zhvillimi i vijës bregdetare të Fierit, zë një vend të rëndësishëm në projektet e qeverisë, që në vitet e ardhshme do t’i japë zhvillim zonës dhe rritje fluksit të turistëve dhe vizitorëve.
Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Patosit parashikon të përfundojë në korrik të vitit 2025.