Ideja e njoftuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryegjyshi botëror bektashian, Edmond Brahimaj në mediat amerikane, për krijimin e “Shtetit Bektashi” brenda Tiranës, ka bërë që mediat në Turqi të shpërthejnë në teori konspirative dhe të hedhin hije të forta dyshimi.Për shembull, “Takvim” shkruan se shteti që pritet të krijohet do të ketë administratën dhe pasaportën e tij, ashtu si Vatikani.
Një ekip ekspertësh ligjorë, duke përfshirë avokatë ndërkombëtarë, po përgatit një projektligj që përcakton statusin sovran të shtetit të ri. Projektligji duhet të miratohet nga Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia Socialiste në pushtet e Ramës. Ndërsa është ende e paqartë se cilat vende do ta njohin sovranitetin e shtetit bektashi nëse ai zbatohet, Rama shprehet se nuk i intereson reagimi që mund të vijë nga Irani”, shkruhet në artikull.
Mediat turke aludojnë më tej, duke shkruar për lidhje të Baba Mondit me Izraelin dhe Sorosin. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një shtet të modelit të Vatikanit, por një organizim si FETO në Turqi.
Bien në sy lidhjet e dervishit bektashi Edmond Brahimaj, i njohur si “Baba Mondi”, i cili do të bëhet kreu i shtetit, me Izraelin dhe Sorosin. Kjo situatë forcon pretendimet se shteti do të krijohet me një strukturë të stilit FETO, jo me stilin e Vatikanit”, vijon artikulli.
Gazetari i medias tjetër turke “Sabah”, Melih Altınok, ka shkruar për këtë çështje në rubrikën e tij dhe parashtron më qartë idenë se “Shteti Bektashi” që pritet të marrë jetë në Tiranë është një projekt i lidhur midis Izraelit dhe George Soros. Altınok tha se “djali i George Soros ka aktivitete intensive në Shqipëri nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur. Vizita e fundit e Presidentit izraelit në Shqipëri nuk duhet anashkaluar.”
Sipas kësaj gazete, gjatë vizitës së tij të parë dhe historike në Tiranë, pak ditë më parë, presidenti izraelit Isaac Herzog është takuar veçanërisht dhe me Baba Mondin.
Sabah” publikon dhe një foto të Baba Mondit me rabinin shqiptar Yoel Kaplan dhe një person tjetër që mendohet të jetë ushtarak izraelit, dhe thotë se kreu i bektashinjve ka lidhje të ngushta me Kaplan. Rabini shqiptar, është një oficer izraelit që u kthye në vendin e tij pas nisjes së luftës me Gazën