Ballina Shqiperia ime Teknologjia “5G” ne Shqiperi, nis gara per dhenien e frekuencave

Teknologjia “5G” ne Shqiperi, nis gara per dhenien e frekuencave

AKEP hapi në fillim të këtij muaji garën për dhënien në përdorim të frekuencave të para që do të përdoren për teknologjinë 5G. Teknologjia 5G pritet të nisë në një moment kur tregu ka mbyllur një cikël konsolidimi, me ulje të numrit të operatorëve në vetëm dy të tillë. Tregu po përpiqet të gjejë balancat e duhura mes nevojës së operatorëve për të përmirësuar performancën financiare dhe për të mbështetur investime të reja nga njëra anë dhe ruajtjes së konkurrencës efektive nga ana tjetër.

Këtë muaj, Shqipëria nisi zyrtarisht procesin e shtrirjes së teknologjisë 5G në shërbimet e komunikimeve celulare. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) hapi garën për dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 3400-3800 MHz, brezi i parë që pritet të përdoret për teknologjinë 5G.

Shqipëria hyn me vonesë në këtë proces, edhe krahasuar me vendet fqinje të rajonit, për arsye të ndryshme. Nga njëra anë, proceset e vlerësimit ligjor për adoptimin e kësaj teknologjie ndoqën një rrugë më të gjatë.

Nga ana tjetër, vonesa u kushtëzua edhe nga zhvillimet strukturore në treg dhe bashkimi me përthithje mes dy operatorëve të mëparshëm, ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, pas blerjes së tyre nga grupi hungarez 4iG. Vonesat lidhen edhe me vështirësitë për lirimin e brezit 700 MHz, që parashikohet të jetë brezi kryesor për mbulimin e gjerë të territorit me teknologji 5G.

Pasi në vjeshtën e kaluar dy operatorët u shfaqën të gatshëm për të përcjellë zyrtarisht shprehjen e interesit për frekuencat e reja, rregullatori nisi formalisht rrugën ligjore me hapjen e konsultimit publik në muajin shkurt.

Kapërcimi i radhës në teknologji vjen në momentin kur tregu ka mbyllur një cikël korrektimi të strukturës së tij, që e uli numrin e operatorëve nga katër në dy.

Dekada e fundit ishte karakterizuar në përgjithësi nga një rënie e performancës financiare të operatorëve për shkak të konkurrencës në çmime dhe nevojës për të investuar në rritjen e cilësisë së shërbimit, që tashmë është i orientuar gjithnjë e më shumë te transmetimi i të dhënave (interneti).

Tregu duket se ka gjetur te konsolidimi zgjidhjen për të forcuar operatorët e mbetur dhe për të rritur fuqinë e tyre investuese. Por, nga ana tjetër, kjo gradualisht po shoqërohet me kosto për përdoruesit dhe në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë e qartë në rritje e çmimeve.

Në tender, frekuenca për të paktën 12.7 milionë euro

Procedura e hapur nga AKEP parashikon dhënien e deri në pesë të drejtave të përdorimit në brezin 3400-3800 MHz, përkatësisht dy me një sasi spektri prej 80 MHz dhe tre me një sasi spektri prej 40 MHz.

Për blloqet me sasi spektri prej 80 MHz, shuma minimale e ofertave të pjesëmarrësve në garë duhet të jetë 3 milionë e 624 mijë euro. Për blloqet me sasi spektri prej 40 MHz, vlera minimale e ofertës duhet të jetë 1 milionë e 812 mijë euro.

Në rast se AKEP do të arrijë të japë me sukses në përdorim të gjithë spektrin e disponueshëm të frekuencave, shuma minimale që do të përfitojë buxheti i shtetit nga ky proces llogaritet në afërsisht 12.7 milion euro.

Ofertuesi duhet të vërtetojë se zotëron njohuri të përgjithshme në fushën e komunikimeve Elektronike, si dhe njohuri profesionale dhe eksperiencë mbi shfrytëzimin e frekuencave dhe teknologjive që operojnë në brezat ose GSM/UMTS/LTE.

Kriteri i vetëm i vlerësimit për përcaktimin e ofertave fituese do të jetë çmimi i tyre. Rregullorja e tenderit parashikon që çmimi i ofertës mund të paguhet me dy këste, përkatësisht kësti i parë prej 50% brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit të fituesit dhe kësti i dytë prej 50% brenda gjashtë muajve nga dhënia e Autorizimit Individual.

Sipas rregullores së garës, një ofertues i vetëm nuk mund të përfitojë më shumë se tre të drejta përdorimi, ose 160 MHz sasi spektri në total.

Gjithashtu, rregullorja parashikon që operatori që shpallet fitues në raundin e parë të vlerësimit për bllokun 80 MHz, skualifikohet automatikisht për raundin e dytë të vlerësimit, për të njëjtën sasi spektri.

Ky rregull ka si qëllim që asnjëri nga operatorët të mos përfitojë njëkohësisht të dy blloqet me sasi më të madhe të spektrit.

Në teori, procesi krijon hapësira edhe për hyrjen e operatorëve të rinj në tregun celular. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e vogla të tregut shqiptar dhe investimet e mëdha të nevojshme për ngritjen e rrjeteve, në praktikë shanset për hyrjen e operatorëve të rinj të rrjeteve celulare (MNO) në treg vlerësohen të jenë të vogla.

Afati për paraqitjen e ofertave do të jetë data 17 tetor e këtij viti, datë kur do të bëhet edhe hapja e ofertave të paraqitura. Koha e fillimit të shfrytëzimit të frekuencave do të jetë jo më vonë se 6 muaj nga data e pajisjes me Autorizim Individual.

Kushtet e tenderit kërkojnë një mbulim të 55% të popullsisë me shërbime 5G brenda vitit 2027 dhe 85% të popullsisë brenda vitit 2030.

Për sa u përket kushteve të mbulimit të territorit, rregullorja e garës kërkon mbulim me shërbime 5G në brezin e autorizuar (pjesë e spektrit 3.4 GHz – 3.8 GHz), deri në fund të vitit 2025 në portet Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë, Porto Romano, aeroportet e Tiranës, Kukësit dhe Vlorës, zonën industriale Tiranë – Durrës dhe Qendrat Spitalore të Tiranës.

Ndërkohë, afati për shtrirjen e shërbimeve 5G në të gjitha qytetet e Shqipërisë do të jetë viti 2028.

Çmimet e frekuencave, më të larta krahasuar me rajonin

Çmimi minimal i përcaktuar në garë është ndjeshëm më i lartë, krahasuar me vendet fqinje. Çmimi më i lartë mund të argumentohet me numrin më të madh të popullsisë krahasuar me vendet fqinje, megjithëse Censi i fundit tregoi tkurrje të ndjeshme, në 2.4 milionë banorë.

Në rastin e Kosovës, dy operatorët që u pajisën me të drejta për të shfrytëzuar frekuencat e brezit 3.5 GHz vitin e kaluar, paguan gjithsej rreth 4.6 milionë euro për një sasi spektri prej 200 Mhz (100 MHz) secili.

Ndërkohë, dy operatorët paguan edhe afërsisht 7 milionë euro të tjera për frekuencat në brezin 700 MHz, brez që në Shqipëri nuk mund të tenderohet ende. Sipas vlerësimeve më të fundit, Kosova ka një popullsi prej rreth 1.6 milionë banorësh.

Në Maqedoninë e Veriut, ankandi për brezat e teknologjisë 5G u zhvillua në vitin 2021 dhe vlera minimale e kërkuar për çdo të drejtë përdorimi (prej 100 MHz) në brezin 3.5 GHz ishte 3 milionë euro. Mbështetur në vlerësimet e fundit, Maqedonia e Veriut ka një popullsi prej pak më shumë se 1.8 milionë banorësh.

Si në rastin e Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, të drejtat e përdorimit për brezin 3.5GHz janë dhënë për një periudhë 20-vjeçare, ndërsa në Shqipëri autorizimet do të kenë afat 15-vjeçar. Rrjedhimisht, mesatarja për kohë përdorimi në Shqipëri është ndjeshëm më e lartë.

Çmimi i paguar për çdo vit shfrytëzimi të frekuencave në Kosovë llogaritet 115 mijë euro në vit, në Maqedoninë e Veriut, 150 mijë euro në vit, ndërsa në Shqipëri, 240 mijë euro në vit.

Këto shifra tregojnë se çmimi i kërkuar për frekuencat e teknologjisë 5G në Shqipëri është ndjeshëm më i lartë krahasuar me vendet fqinje, qoftë edhe duke marrë parasysh ndryshimin në numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Çfarë ndryshon teknologjia 5G?

Në teori, vlerësohet se gjenerata e sistemeve celulare 5G mund ta rrisë shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit të frekuencave. Në praktikë, po t’u referohemi të dhënave nga matjet e operatorëve që kanë implementuar rrjetet 5G në vitet e fundit, ndryshimet në praktikë nuk janë të këtyre përmasave.

Shpejtësia mesatare e shkarkimit të të dhënave në rrjetet 5G është afërsisht dy herë më e lartë krahasuar me rrjetet 4G, por sidoqoftë paraqet ndryshime të mëdha, në varësi të operatorëve.

Kompani të specializuara të matjeve të shpejtësisë së internetit, si për shembull Ookla, e vlerësonin shpejtësinë mesatare të rrjeteve 5G në vitin 2023 në rreth 203 Mbps (megabit për sekondë). Gjithmonë duke iu referuar këtyre matjeve, shpejtësia mesatare për operatorë të veçantë në Europë ka arritur deri në afërsisht 600 Mbps.

Këto shpejtësi janë sigurisht më të larta krahasuar me nivelet mesatare të rrjeteve aktuale 4G, por për shumicën e përdoruesve individualë, ato nuk sjellin ndryshime të mëdha në eksperiencën e përdorimit të zakonshëm të internetit. Megjithatë, një parametër ku 5G mund të sjellë përmirësime të ndjeshme teknike është latenca (vonesa) ose koha që i duhet një njësie informacion (data) për t’u zhvendosur nga një pikë në tjetrën.

Një element tjetër tipik për rrjetet 5G deri tani është zgjerimi relativisht i ngadaltë i mbulimit të territorit. Edhe në vendet më të hershme në implementimin e teknologjisë 5G, nuk është arritur deri më sot që të mbulohen qoftë edhe të gjitha qendrat urbane. Ky proces nuk pritet të jetë shumë i shpejtë as në Shqipëri. AKEP ka përcaktuar vitin 2028 si afat për mbulimin me rrjet 5G të të gjitha qyteteve të vendit.

Për momentin, nuk ka ende parashikime për kohën se kur rrjetet 5G mund të mbulojnë të gjithë ose pothuajse të gjithë popullsinë. Kjo do të thotë se edhe në ardhmen, shumë pjesë të territorit do të vazhdojnë të mbulohen nga teknologjitë e mëparshme dhe kryesisht 4G. Shumë vende ndërkohë i kanë mbyllur përfundimisht teknologjitë më të hershme, si GSM (2G) apo 3G.

Plani për implementimin e teknologjisë 5G në Shqipëri (përgatitur me bashkëpunimin e konsulentëve të jashtëm) rekomandon mbylljen e rrjeteve 2G dhe 3G, pasi sinjali 5G të jetë shtrirë në zonat kryesore të vendit. Plani rekomandon që rrjetet 2G dhe 3G duhet të mbyllen plotësisht jo më vonë se 12 muaj nga mbulimi me rrjet 5G i Zonave Kryesore Ekonomike.

Konsulentët e specializuar vlerësojnë se këto rrjete janë shumë të cenueshme kundrejt rreziqeve të lidhura me krimin kibernetik. Megjithatë, AKEP ende nuk ka vendosur afate përfundimtare për mbylljen e këtyre rrjeteve.

Një element tjetër që për momentin kufizon potencialet e përdorimit të 5G është teknologjia e aparateve celularë. Vlerësohet se për momentin, vetëm një pakicë e aparateve që kanë në përdorim shqiptarët e mbështet teknologjinë 5G. Për të marrë internet 5G, shumica e shqiptarëve do të kenë nevojë për aparate celularë me teknologji më të avancuar.

Nga ana tjetër, rrjetet 5G pritet të ofrojnë kapacitete më të mëdha dhe perspektiva më të zgjeruara sidomos në zgjerimin e shërbimeve për bizneset. Rrjetet 5G do të krijojnë mundësi për të ofruar zgjidhje të avancuara për komunikimin, automatizimin dhe kontrollin në distancë në shumë sektorë të ekonomisë. Në këtë kuptim, teknologjia 5G krijon potenciale për rritjen e produktivitetit në ekonomi.

Lirimi i brezit 700 MHz, ende pa rezultate

Procesi i lirimit të brezit të frekuencave 700 MHz nuk ka sjellë rezultate të rëndësishme as për vitin e kaluar. Sipas Planit Kombëtar të Frekuencave, miratuar në vitin 2021, brezi 700 MHz (694-790 MHz), duhet të kalonte përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022. Por, lirimi i këtij procesi po rezulton një proces i vështirë dhe në shkelje të afateve të përcaktuara.

Brezi 700MHz aktualisht është ende në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive.

Në raportin vjetor për Kuvendin të vitit 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) bën të ditur se as vitin e kaluar nuk u arritën rezultate të prekshme nga ky proces.

AMA vlerëson se lirimi i brezit 700 MHz (DD2) është një proces kompleks, i cili përfshin disa vendimmarrje në kuadrin ligjor, financiar, teknik, i cili ngarkon me përgjegjësi jo vetëm AMA-n, por një sërë aktorësh, të cilët të gjithë së bashku duhet të kenë vullnetin e mirë për të nxitur dhe për të përshpejtuar arritjen e objektivit.

Me urdhrin e datës 20 korrik 2022 të Kryeministrit, është ngritur grupi ndërinstitucional i punës për lirimin e brezit, grup që do të jetë përgjegjës për koordinimin e veprimtarive, si dhe për propozimin e të gjitha vendimmarrjeve të nevojshme tek organet kompetente për arritjen e këtij qëllimi.

Sipas kryetares së AMA-s, finalizimi i koordinimit ndërkufitar në nivel allotmenti, i hapi rrugë hartimit të strategjisë së migrimit, nga ekspertët e huaj në kuadër të asistencës teknike në fushën e telekomunikacionit, të përfituar nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2022.

Shtrirja e komunikimeve celulare në brezin 700MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt adoptimit të teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit, sepse teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera.

Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017, vendet anëtare të BE duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronike broadband të lëvizshme. Ato mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet në bazë të arsyeve të justifikuara.

Për rrjetet e gjeneratës 5G, Plani Kombëtar i Frekuencave ka përcaktuar 3 breza kryesorë frekuencash: 700 MHz, 3.5 GHz dhe 26 GHz. Aktualisht, në Shqipëri brezat 3400-3800 MHz dhe 26 GHz, janë të lirë, ndërsa brezi 700 MHz, është në përdorim nga disa operatorë media audiovizive.

Pas kalimit të këtij brezi nën administrimin e AKEP, do bëhet dhënia në përdorim e tij për rrjete celulare 5G, duke ndjekur dhe duke zbatuar procedurat përkatëse ligjore.

Operatorët celularë përmirësojnë bilancet

Operatorët e shërbimeve celulare përmirësuan performancën e tyre financiare vitin e kaluar. Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në total, dy operatorët celularë fituan 619 milionë lekë vitin e kaluar, ndërsa viti 2022 ishte mbyllur me humbje neto në vlerën e 499 milionë lekëve.

Për vitin e kaluar, Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e 549 milionë lekëve, ndërsa vitin 2022 e pati mbyllur me një humbje neto prej 30 milionë lekësh.

Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë ONE Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, ONE Albania e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 70 milionë lekëve, ndërsa për vitin 2022 kishte raportuar një humbje prej 469 milionë lekësh.

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe ONE Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.

Por, ecuria e të ardhurave ka qenë e ndryshme sipas dy segmenteve kryesore. Ndërkohë që të ardhurat nga shërbimet me shumicë kanë pësuar rënie, të ardhurat nga shërbimet me pakicë janë rritur për të dytin vit radhazi.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut.

Në vitin e parë pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommunications dhe ALBtelecom, operatori i ri, ONE Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022.

Megjithëse performanca financiare ishte më e mirë, në vitin 2023 investimet e operatorëve të komunikimeve elektronike pësuan rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave të AKEP, vlerësohet se operatorët e shërbimeve celulare dhe fikse investuan vitin e kaluar rreth 4.4 miliardë lekë, në rënie me afërsisht 30% krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, gjatë vitit 2023 sipërmarrësit e shërbimeve celulare kanë investuar rreth 1.8 miliardë lekë, investime të cilat kanë pasur fokus kryesor përmirësimin e ofrimit të shërbimeve broadband nga këto rrjete. Megjithatë, vlera e investimeve në segmentin celular ka pësuar rënie të ndjeshme, me 55% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.6 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre, shifër kjo në nivele të përafërta me vitin 2022.

Sipas raportimeve të operatorëve, edhe në këtë vit, investimet janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband, ku ndër investimet kryesore

është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL (me kabllo bakri) drejt teknologjisë me fibër optike.

Rënia e investimeve, sipas AKEP, gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet me tkurrjen e volumit të tregut dhe me uljen e numrit të operatorëve të telefonisë celulare, nga tre në dy të tillë, pas bashkimit mes Albtelecom dhe ONE.

Dhënia e autorizimeve për teknologjinë 5G këtë vit pritet të sjellë më shumë investime, duke llogaritur shpenzimet për marrjen e të drejtave të përdorimit dhe për infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e teknologjisë së re.

Autoriteti i Konkurrencës rekomandon rregullimin e tregut me pakicë të telefonisë celulare

Në fillim të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi AKEP vendosjen në rregullim të tregut me pakicë të telefonisë celulare në vend.

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se, në kushtet e ndryshimeve strukturore të ndodhura në tregun e telefonisë celulare, AKEP duhet të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu.

Që prej fillimit të vitit 2023, tregu i telefonisë celulare në vend ka vetëm dy operatorë, pas bashkimit me përthithje mes operatorëve One Telecommunications dhe Albtelecom, që erdhi si rezultat i blerjes së dy kompanive nga grupi hungarez 4iG.

Në analizën e tregut të telefonisë celulare të miratuar në shkurt të këtij viti, AKEP shprehet se aktualisht tregu i rrjeteve dhe shërbimeve celulare në Shqipëri zotërohet nga dy operatorë dhe kjo situatë shtron rreziqe për rritjen e çmimeve për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit.

AKEP gjykon se një treg me numër të kufizuar lojtarësh mund të mbetet konkurrues, vetëm nëse roli rregullator i fushës AKEP përforcohet në aspektin e ndryshimeve ligjore për ndërhyrjet ex-ante (paraprake), pasi një situatë e tillë, veçanërisht situata duopol në tregun celular, krijon rreziqe të reja për praninë e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet ndërmarrjeve në treg në dëm të konkurrencës.

Sipas AKEP, sjelljet bashkërenduese mund të shfaqen kryesisht nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që ndikojnë drejtpërdrejt shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, shërbime të cilat janë jashtë sferës së rregullimit dhe fokusit të ndërhyrjeve ex-ante të rregullatorit të fushës.

Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar ndikohet edhe nga faza e maturimit tëtregut celular, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore të cilën aktualisht e zotërojnë dy rrjetet.

Në vitin 2006, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve (sot AKEP) vendosi për herë të parë nën rregullim tarifat me pakicë të telefonisë celulare, si përgjigje ndaj çmimeve shumë të larta dhe mungesës së konkurrencës efektive mes dy operatorëve të atëhershëm.

Pas vitit 2008, me fillimin e aktivitetit të operatorit të tretë dhe të katërt, konkurrenca ndikoi në uljen e ndjeshme të çmimeve dhe nevoja për të rregulluar tregun në nivel shumice u vlerësua e tejkaluar.

Por, rikthimi i tregut në një strukturën duopol, ku ndodhej deri në vitin 2008, ka risjellë mes institucioneve rregullatore të tregut dilemën nëse duhet konsideruar përsëri ndërhyrja parandaluese (ex-ante) në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. /Monitor